Kolë Bojaxhia dhe vajza e tij Gonxhe (Nënë Tereza) kanë qenë pjesëtarë aktivë të aktiviteteve kulturore të organizuara nga kisha katolike e shqiptarëve “Zemra e Krishtit” në qytetin e Shkupit

 

Nga Shpëtim Sala, Studiues. President i QMKSH – Tiranë

Shkupi në fillimin e shek. XX ka qenë një nga qytetet më të mëdha të banuar nga shqiptarët. Në vitin 1868 ai u caktua nga administrata osmane si qendra administrative e Vilajetit të Shkupit, i cili në vitin 1871 do të quhej Vilajeti i Prizrenit, ndërsa në vitin 1877 Vilajeti i Kosovës. Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, atdhetarët e qytetit të Shkupit kanë qenë mbështetje e fuqishme e saj. Në vitet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shkupi do të shquhej si një ndër qendrat më të rëndësishme zejtare e tregtare për popullsinë shqiptare që dominonte edhe në trevat përreth qytetit.

Më 3 korrik 1908 repartet ushtarake të Vilajetit të Manastirit të udhëhequr nga Njazi Beu (epror i lartë i reparteve të Resnjës), ngritën flamurin e “Turqve të Rinj” në Tetovë, Gostivar, Shkup etj. Kërkesa e tyre kryesore ishte kthimi në fuqi i Kushtetutës Osmane të vitit 1876. Duke u ndodhur përpara presionit të madh të kryengritësve, Sulltan Hamiti pranoi të vinte në zbatim Kushtetutën e vitit 1876.

Menjëherë pas shpalljes së “Hyrjetit” (Kushtetutës), më 1 tetor 1908 patriotët shqiptarë krijuan në Shkup klubin “Shqiptar”, po në këtë ditë ata miratuan edhe rregulloren për funksionimin e tij. Mbështetje e fuqishme për veprimtarinë e klubit u bë kisha katolike “Zemra e Krishtit” në Shkup. Që nga viti 1909 kryepeshkop i Shkupit ka qenë Lazër Mjeda (1869-1935). Ai luajti një rol të rëndësishëm në përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe. Kisha katolike “Zemra e Krishtit”, u kthye në qendër të veprimtarisë për klubin “Shqip”, në të u hapën kurse për mësimin e gjuhës shqipe, u krijuan kori, grupi teatral dhe orkestra frymore. Klubi Shqiptar hapi degët e tij edhe në qytete të tjera, si në Prishtinë, Tetovë, Mitrovicë, Kumanovë, Prizren etj.

Kolë Bojaxhia dhe vajza e tij Gonxhe (Nënë Tereza) kanë qenë pjesëtarë aktivë të aktiviteteve kulturore të organizuara nga kisha katolike e shqiptarëve “Zemra e Krishtit” në qytetin e Shkupit.

Regulltoria (rregullorja) e klubit “Shqip” të Shkupit ka datën 1 tetor 1908.

Në nyjën e dytë të kësaj rregulloreje është shkruar: Në kët Klub munet me u bë shok gjith i cili shqiptar qi pi në Shkup e përjashta, e t’anë kan me pas të drejtat e Shoqnisë të njinjishme.

Një nga qëllimet e klubit ka qenë: “..për t’punumune [punumun] për përparime t’gjuhës shqipe e ka për t’vumunë në Klub nji mësues me dhanë leçime n’shqype gjith shokve klubit qi se dijnë. Ata shokë qi s’dinë shqyp jan të detyruem ta msojnë. (Nyj i 22)

Pleqësia e klubit “Shqip” të Shkupit në dhjetor të vitit 1908 përbëhej nga:

-Kryetar: Haki Ibrahim Begu,

-Nënkryetar: Sali Beu nga Janina,

-Nënkryetar: Bajram Beg Curri.

-Këshilltarë: Mahmut Begu, Rexhep Deci Jakova, Hamdi Begu Kumbaraçi, Luigj Naraçi, Rrok Berisha dhe Qamil Beg Kumbaraçi. [1]

Mbështetës të gjuhës shqipe në qytetin e Shkupit kanë qenë edhe mësuesit atdhetarë të gjimnazit të Shkupit Sali Gjuka dhe Bedri Pejani.

Një nga bashkëpunëtorët e klubit ka qenë edhe atdhetari kosovar Hasan Prishtina. Ai udhëtoi disa herë në Shkup, Tetovë, Gostivar etj. për të mbështetur dhe propaganduar arsimin e të rinjve shqiptarë në gjuhën shqipe. Në fund të janarit të vitit 1910, Pleqësia e Klubit Shqiptar të Shkupit ju bëri një pritje të veçantë nxënësve kosovarë që ishin nisur nga Hasan Prishtina për në Shkollën Normale të Elbasanit. Nxënësve Kosovarë ju bashkuan edhe 4 të rinj nga Shkupi, Ramis Rashiti, Mustafa Ramadani, Tefik Sulejmani dhe Ferit Bejtullahu. Nxënësit u strehuan në Shkup me shpenzimet e klubit shqiptar. Ata u përcollën në stacionin e trenit për në Manastir nga Pleqësia e Klubit “Shqiptar” të Shkupit.

Në Nyjen 5 të rregullores së “Klubit Shqiptar” është përcaktuar: “Këshilli administrativ do të meret edhe me çështjen e artit”.

Në rregulloren e “Klubit Shqiptar”, është vënë si detyrë edhe hapja e një biblioteke me libra në gjuhën shqipe, të cilat do t’u shërbenin anëtarëve të klubit. (nyja 21).

“Klubi Shqip” i Shkupit u kthye në një vatër të vëllazërimit dhe të bashkimit, të myslimanëve e të krishterëve shqiptarë, të varfër e të pasur, bejlerë e bujqër, ustallarë e shegertë, të gjithë të bashkuar në luftën për çështjen kombëtare.

Bedri Efendiu ka qenë një nga aktivistët më të shquar dhe me autoritet në klubin “Shqiptar” të Shkupit. Ai ishte Drejtor dhe mësues i gjuhës Shqipe në një shkollë private të Shkupit dhe ka luajtur rol të rëndësishëm dhe me vlera të shquara atdhetare për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe në qytetin e Shkupit.

 

Gazeta “Shkupi”

Për të përmbushur kërkesat e shqiptarëve të Shkupit për një organ informimi në gjuhën shqipe, më 20 shkurt 1911 në Shkup doli numri i parë i gazetës së përjavshme “Shkupi”, e cila u botua në gjuhën shqipe dhe turke.

Gazeta ishte organ i përjavshëm dhe kishte drejtues Jashar Erebarën. Gjatë vitit 1911 gazeta u botua në 14 numra, ndërsa në vitin 1912 u botua në 17 numra.

 

Orkestra Frymore “Zana Malit” u krijua në janar të vitit 1910,

Rolin vendimtar për krijimin e saj e ka pasur “Klubi Shqip”. Kjo orkestër luajti rol të rëndësishëm për ngritjen e frymës atdhetare të Shqiptarëve në qytetin e Shkupit.

 

Kol Bojaxhia (1874-1919)

Një nga muzikantët (trombetist) e orkestrës ishte edhe patrioti i njohur Kol Bojaxhia (i ati i Nënë Terezës), me origjinë nga Prizreni, ndërsa e shoqja e tij Drane Brenaj ishte bijë e Gjakovës.

Bashkëshortët Bojaxhia pasi u martuan në Prizren, u shpërngulen për të jetuar në Shkup. Kola ka qenë intelektual mjaft i lidhur me çështjen kombëtare dhe idetë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ai ka qenë mik me veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Lazër Mjeda, Mati Logoreci etj. Ai u përfshi në veprimtarinë atdhetare për shkollimin e të rinjve shqiptare në qytetin e Shkupit. Kolë Bojaxhia ka vdekur në vitin 1919. Disa biografë e kanë lidhur vdekjen e tij me helmimin prej agjenturës serbë.[2]

Pas vdekjes së të atit e ëma e Nënë Terezës e ka dërguar rregullisht Gonxhen e vogël në kishën katolike të Shkupit, ku ajo ka kënduar në korin e saj.

Për krijimin e kësaj orkestre frymore po japim njoftimin e mëposhtëm të gazetës “Liria” e Selanikut të datës 16 janar 1910:

“Mësojmë se në Shkup të dielën që shkoi, ca djelmoshë vendosnë që të krijojnë një shoqëri muzikore të vogël. Nërmjet këtyre zotërinjve janë Luigji Kabashi, Zef Tupeci, Zef Sopi, Kol Bojaxia, Luigj Naraçi, etj. Kemi shpresë të madhe që për së shpejti kjo bandë e Muzikës do të formohet dhe do të marrë një hov te mirë, tek do kemi parë që muzika është një ndihmë e madhe për të zgjuar dhe për të qytetëruar një komb. Shkupi në këtë punë le të marrë shembëll nga Korça dhe nga qytete të tjera”.

Kryetar i pleqësisë së orkestrës u zgjodh Simon Shën Kolli, arkëtar Kolë Bojaxhia, anëtarë të pleqësisë u zgjodhën Zef Shiroka (Zef Begi) dhe Tom Shiroka, të dy argjendarë me origjinë prej Shkodre, mjaft të njohur nga shqiptarët e Shkupit në fillim të sh. XX. Për të drejtuar orkestrën, u caktua muzikanti shqiptar Vasil Gjakonovskij. Pas katër muajsh Vasili u largua nga drejtimi i orkestrës dhe vendin e tij e zuri një muzikant tjetër shqiptar, që kishte qenë instrumentist në orkestrën e garnizonit turk të Shkupit. Pas një kohe të shkurtër, muzikantët e orkestrës me punë dhe sakrifica, arritën të luajnë disa pjesë muzikore të shkurtra.

Anëtarët e orkestrës pas punës 8-10 orëshe që bënin, edhe pse ishin të lodhur nxitonin në shoqërinë muzikore për të mësuar ekzekutimin në instrumentet muzikore. Mjedisi ku mblidheshin muzikantët e rinj ka qenë në një ndërtesë prapa kishës katolike, në pronësi të saj. Kjo ndërtesë ka shërbyer edhe për mbledhjet e pleqësisë (kryesisë) së klubit dhe si shkollë ku është mësuar gjuha shqipe nga të rinjtë shqiptarë.

Orkestra “Zani i Maleve” është quajtur në kohën e veprimtarisë së saj edhe “Banda muzikore e klubit të katolikëve”. Në koncertet e kësaj orkestre kanë merrë pjesë shqiptarët katolikë e myslimanë. Orkestra ka qenë pjesëmarëse në gëzimet familjare të shqiptarëve, duke i gëzuar të gjithë qytetarët e Shkupit pa dallim feje dhe kombësie në të gjitha festat fetare, pashkë, bajram etj.

Orkestra ka dhënë koncerte të dielave dhe ditëve të festave në oborrin e kishës katolike po ashtu edhe në mjediset e “Islahanës”. Financimet e saj janë bërë me ndihmat e atdhetarëve shqiptarë të Shkupit, si Simon Shën Kolli, si dhe nga tregtarë e zanatçinj shqiptarë të qytetit.

Orkestra, sikurse shihet në foton e datës 25 mars të vitit 1912, përbëhet nga 17 instrumentistë. Ajo ka luajtur pjesë nga muzika popullore, pjesë klasike, marshe me frymë atdhetare etj.

Këtë orkestër e përfshinë autoritetet e qytetit të Shkupit në festimet me rastin e vizitës së Sulltan Mehmet Reshadit V në qershor të vitit 1911 në qytetin e Shkupit. Ardhja e Sulltanit kishte si qëllim të shuante kërkesat e shqiptarëve për liri e pavarësi, si dhe fashitja e valës së kryengritjeve që kishin shpërthyer në të gjithë Shqipërinë.

Mbas kësaj vizite të Sulltanit, shqiptarët u hodhën në kryengritje të përgjithshme. Rreth

30 000 kryengritës shqiptarë, më 12 gusht të vitit 1912 u futën në qytetin e Shkupit. Kryengritësit u pritën me një entuziazëm shumë të madh. Pleqësia e “Klubit Shqip”, së bashku me orkestrën “Zana Malit”, doli për t’i pritur në hyrje të qytetit dhe në stacionin e trenit.

Orkestra luajti me muzikë vargjet:

“Zgjidhni Shqiptarë, bajrakun.

Tesh në luftë burija na thrret.

Me derdhë për dhe t’one gjakun.

Tesh pushka po na pret…”.

Orkestra ka luajtur dhe shumë pjesë të tjera atdhetare, si “Pesqind vjetë rresht gjimove o Shqipni”, “Këngën e Alfabetit”, “Për Mëmëdhenë” etj.

Përpara krijimit të Shoqërisë “Zana Malit” në Shkup, në qytet ka dhënë koncerte vetëm orkestra frymore e garnizonit të ushtrisë turke. Formimi i orkestrës “Zana Malit”, pati rëndësi të madhe për edukimin atdhetar të shqiptarëve të Shkupit. Ajo zgjoi interesimin e shqiptarëve të Shkupit për një muzikë kombëtare, të përpunuar artistikisht, larg ndikimeve të muzikës orientale.

Fotografia e datës 25 mars të vitit 1912 është e vetmja që njohim deri më sot për orkestër frymore të Shkupit. Muzikantët kanë dalë në fotografi së bashku me një pjesë të pleqësisë së klubit shqip. Fotografia është bërë në oborrin e Kishës së vjetër, përpara derës së sankristisë. Në rreshtin e parë te ulur mbi qilim, dhe në rreshtin e tretë janë muzikantët e orkestrës, në rreshtin e dytë, ulur mbi karrige, janë anëtarët e pleqësisë. I treti, ulur në karrige në rreshtin e mesit, me papion dhe me bastun në dorë, është dirigjenti. Në reshtin e parë, i shtrirë mbi qilim, me një letër në dorë ku shkruhet emri i orkestrës, është djali i kryetarit Gjon Shën Kolli.

Nuk kaloi shumë kohë dhe autoritetet osmane të qytetit të Shkupit urdhëruan mbylljen e veprimtarisë së orkestrës “Zana Malit”.

Përveç veprimtarisë muzikore, anëtarët e orkestrës kanë përgatitur dhe shfaqur edhe disa pjesë teatrale. Veprimtaria e kësaj shoqërie, me disa ndërprerje të shkurtra, vijoi deri në vitin 1927.

Më poshtë po japim transkriptimin e një letre që orkestra “Zana Malit” i ka dërguar klubit “Bashkimi” në Bukuresht

Të ndershmes Pleqnisë Shoqnisë “Bashkimi” Bukuresht

Në kët qytet të Shqipërisë i përmendun n’istori t’on, e ku sod me zembër të plasun shohim qi të huajt n’a kan mujt e lanë mbrapa si moralisht si materialisht i qi përparimi i të huajve shtje ma tepër në rezik kombëtarnin t’onë. Këtu në kët vend e menduam që asht shum e arsyshme e vumë në veprim themelimin e nji Shoqënisë Muzikale e cila të mbështjellin n’gjij të saj djelmunin t’onë duke i vue n’udhët të Bashkimit e të Përparimit Kombëtar.

Por sikur e dini Zotërinj të Ndershëm qi me krye veprën që kemi nisun n’a lypsen ndihmat e atdhetarëvet që gjinden edhe përjashta pse këtu qarku i atdhetarëve asht fort i vogël.

S’kemi pra ma fort e ma tepër se në Shoqënin Tuaj m’e sjell shpnesën t’on ku keni ken gjithmonë shembulli i ndihmës Kombëtarizmit.

Po J’u lutëna shum pra qi mos të n’a kurseni ndihmën tuaj qi të mundna ma n’dobisht e ma me nder t’a mbarojm veprën t’onë por ma të madhin lulëzim t’atdhes e të Kombtarnisë.

Neve (shoqnisë t’onë) n’a kishte ndihmue edhe klubi por sikur mundëni m’e ditun qi për ora gjindet në një gjindje shum të vështirë prej ngjarjeve të fundit.

Duke shpnesue qi shpejt keni me n’a gëzue me ndoj ndihmë me nder po j’u falëna.

Kryetari i shoqënisë Muzikale

(Naraçi)

Shkup me 14 gusht 1910

Ndihmat e letrat dërgohen në kët drejtim:

Simon Shënkolli

Për S. N. K. N.

(Ms. Ruli)

(Turquie d’Europe)

Edhe në zyrë të Gazetës “Liria” mundeni me n’a dërgue ndihma.

(AQSh, F. 99, D. 169, 14. Gusht 1910

 

 

[1] Shih: “Liria” e Selanikut, 15 dhjetor 1908.

[2] Eugen Vogt, “Muter Teresa, Lebensbild Geistliche Texte”, Freiburg, 1990

Shpetimi-2

Orkestra-frymore-Klubi-Shqip-Shkup-Kol-Bojaxhi