Rezultati i ngushtë mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në zgjedhje e bën të vështirë formimin e qeverisë së re, pasi asnjëri subjekt nuk ka fituar shumicën e mandateve në Kuvendin me 120 ulëse. Analistët vlerësojnë se zgjidhja më e mirë do të ishte formimi i qeverisë së zgjeruar ku do të përfshiheshin katër subjektet më të mëdha, pasi sipas tyre, një qeveri e përbërë vetëm nga VMRO-ja dhe BDI-ja me mbështetjen e vetëm 61 deputetëve do të ishte jo stabile.

“Koalicioni i mundshëm mes VMRO-së dhe BDI-së është jolegjitim, po flas për tek shqiptarët pasi mbi 60% të elektoratit shqiptarë nuk janë përcaktuar për BDI-në dhe tashmë po shtrohet çështja e legjitimitetit, nëse kjo parti përfaqëson shqiptarët. Vështirësi tjetër përbën edhe çështja e Badanterit, pra kujt do ti takojë shumica e deputetëve të komuniteteve jo shumicë”, tha Mersim Maksuti, profesor.

Por, BDI-ja ende nuk e ka thënë fjalën e fundit se a do të koalicione sërish me partnerin e deritanishëm. Në rast se Gruevski nuk arrin që në afatin ligjor të sigurojë votat e nevojshme, presidenti duhet të mandatojë liderin e LSDM-së Zoran Zaev, i cili me mbështetjen e partive shqiptare do të mund të formonte qeverinë e re.

“Kushtetuta thotë se presidenti Ivanov duhet të thirr përfaqësuesin e partisë që ka shumicën për të themeluar qeverinë apo nëse asnjëra parti nuk ka shumicë për të themeluar qeverinë siç është rasti konkret atëherë përfaqësuesit e atyre partive që në koalicion formojnë shumicën për formimin e qeverisë”, tha Osman Kadriu, profesor.

Një mundësi tjetër mbetet edhe formimi i qeverisë së pakicës. Por, pavarësisht se nga kush do të përbehet, njohësit e rrethanave politike thonë se qeveria e re nuk do të ketë jetë të gjatë. Sipas Mersim Maksutit, ekzekutivi i ri duhet të përqendrohet në përmbushjen e reformave nga raporti i Pribesë dhe ta çojë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme brenda 6 gjatë muajve apo një viti. Nëse partitë taktizojnë deri në fund me afatet ligjore, përbërja e re parlamentare duhet të konstituohet më së voni deri më 31 dhjetor, kurse qeveria deri më 16 shkurt.