Si një shqiptaro-amerikan i brezit të parë në Shtetet e Bashkuara, Tejmzi ka fotografuar liderët më të fuqishëm të botës gjatë Luftës së Ftohtë, përcjellë KultPlus.
Presidentë amerikanë dhe marrëdhëniet me Shqipërinë. Një retrospektivë nëpërmjet lentës së Xhorxh Tejmz, fotoreporterit shqiptaro-amerikan të New York Times. OTTOnomy sjellë ekspozitën “Presidentë Amerikanë” në Kosovë në një shtegtim të zbulimit të ndërsjellët.

“Ne shpërfaqim fotografitë e Tejmzit në dialog me lajmet shqiptare të epokës lidhur me ngjarjet ndërkombëtare që këto fotografi paraqesin, si për të treguar se si ka qenë përvoja e jetës në brendësi të diktaturës në Shqipëri”, shkruan në njoftim.

Dialogu që ekspozita rreket të krijojë ndërmjet të shkuarës dhe të tashmes ka ndihmuar të rinjtë në Shqipëri që të kuptojnë sa më mirë ideologjitë që u kanë dhënë trajtë botës ku prindërit dhe gjyshërit e tyre kanë jetuar. Kjo ekspozitë po ndahet me kosovarët, si një mënyrë për të reflektuar mbi përvojat tona të ndryshme.

Si një shqiptaro-amerikan i brezit të parë në Shtetet e Bashkuara, Tejmzi ka fotografuar liderët më të fuqishëm të botës gjatë Luftës së Ftohtë. Tejmzi ka pasur një përjetim krejt ndryshe të kësaj periudhe nga ajo e njerëzve në Shqipëri, dhe ai përjetim ka qenë edhe më i ndryshëm nga njerëzit që rronin në pjesën tjetër të Ballkanit. Kjo ekspozitë mëton të na kërkojë që të reflektojmë mbi historitë tona, mbi dallimet dhe ngjashmëritë e përvojave tona, në mënyrë që të ballafaqojmë të ardhmen tonë me guximin dhe dinjitetin që buron nga të vështruarit e vetes tonë me më tepër kthjelltësi.

Ekspozita do të hapet më datë 3 prill në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në ora 19:00, ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më datë 8 prill, ju mund ta vizitoni çdo ditë sipas këtij orari: e hënë – e premte 7:00 – 20:00 dhe e shtunë 7:00 deri 14:00.