Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, në mbledhjen përmbyllëse të Seancës së 62-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që u organizua nën mikëpritjen e Kuvendit të Turqisë (TBMM), uroi që mbledhja të bëhet shkaktar i paqes, qetësisë dhe bashkëpunimit për tërë njerëzimin, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan theksoi se bota po përballet me sprova dhe rreziqe të reja në nivel global, ndërkoqë që në krye të këtyre rreziqeve, sipas tij, janë terrorizmi dhe ndryshimet klimatike.

“Kseonofobia dhe si rrjedhojë edhe islamofobia, kanë arritur intensitet të tillë saqë kalojnë kufijtë e disa shteteve. Në botën e sotme asnjëri prej nesh nuk mund të thotë se tymi dhe zjarri nuk më kaplon mua kur shpërthen ndonjë zjarr. Nuk kemi një mundësi të tillë. Herët apo vonë ky zjarr dhe ky tym do të arrijë te ne. Në këtë periudhë kur rreziqet janë globalizuar dhe kur ekuilibrat e fuqive kanë pësuar ndryshime, është kusht që institucionet aktuale ta rishikojnë veten. Në mënyrë që të mënjanohen këto rreziqe dhe gjasat të kthehen në fitim, duhet që çështjet të diskutohen në platforma më inkluzive”, vazhdoi Erdoğan.

Erdoğan tha se mbajtja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Stamboll është mesazh më vete.

“Luftë për demokraci që rastiset rrallë në histori”

Presidenti Erdoğan tha se çështje tjetër që e bën të rëndësishme këtë seancë është fakti që ajo po organizohet në një vend që ka dëshmuar me jetë më 15 korrik kushtimin për demokracinë. Sipas tij, nata e 15 korrikut ka qenë një luftë për demokraci që rastiset rrallë në histori dhe se kjo luftë është fituar.

Po ashtu, Erdoğan shtoi se gjendja e jashtëzakonshme në Turqi po vazhdon duke u mbikëqyrur të drejtat dhe liritë themelore. “Në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme të cilën e shpallën më 21 korrik në përputhshmëri me kushtetutën e Republikës së Turqisë, jemi duke i marrë masat e nevojshme për t’i fshirë gjurmët e tentativës për grusht shteti dhe për t’i neutralizuar organizatat terroriste”, theksoi Erdoğan.

“Nuk mund ta tolerojmë lëvizjen e lirë të PKK-së në Evropë”

Presidenti Erdoğan shprehu shqetësimin e tij për lëvizjen e lirë të pjesëtarëve të PKK-së brenda Bashkimit Evropian. “Duam që ju të pengoni lëvizjen e pjesëtarëve të organizatave terroriste në shtetet tuaja, propagandën e tyre, rekrutimet dhe mbledhjet e haraçeve me forcë”, tha Erdoğan, për të vazhduar se veçanërisht nuk mund ta tolerojnë lëvizjen e lirë të PKK-së në shtetet e BE-së.

Siç tha Erdoğan, të gjitha vendet mike duhet ndërmarrë masat e duhura, në të kundërtën, një ditë do t’u kthehet edhe atyre sikurse bumerang.

“Turqia është sikur një mur mes organizatave terroriste dhe të tjerëve”

Gjatë fjalimit të tij, Erdoğan tha: “Turqia thuajse është sikurse një mur mes organizatave terroriste dhe pjesës tjetër të botës me në krye Evropën. Nëse ne dështojmë në këtë luftë, domethënë nëse ky mur shembet, atëherë terroristët do ta mbulojnë botën me zjarr dhe gjak njëlloj si vërshim. Ne ju themi të vini dhe ta forcojmë këtë mur, e jo ta dobësojmë. Çdo mbështetje që i jepet Turqisë në luftën kundër terrorizmit, do të jetë kontribut në sigurinë e atij vendi që ofron mbështetjen”.

“Duhet t’ua hapim dyert të gjithë atyre që ikin nga bombat”

Presidenti Erdoğan tha se është i dhimbshëm fakti që janë lënë të vetëm në ndarjen e barrës së krizave humanitare. “Ne jemi të detyruar t’ia hapim dyert gjithkujt që ik nga bombat. Pse? Sepse ata janë njerëz. Ne nuk mund t’i lëmë të bombardohen ata njerëz”, potencoi ai, duke shtuar se disa kishin derdhur vetëm lotë krokodili për Ajlanin dhe Omranin, fëmijët, fotografitë e të cilëve, sipas tij, kishin zënë kopertinat e revistave.

Ndërkaq, siç tha Erdoğan, Turqia ka patur qëndrimin e saj dhe ka treguar se është në anën e tyre.

“A e dini se në duart e organizatave terroriste dolën armë të miqve tanë”

Duke thënë se asnjë shtet tjetër nuk ka paguar çmim më të lartë dhe nuk ka fituar rezultate më konkrete sesa Turqia në luftën kundër DEASH-it dhe se në kufij Turqia ka patur kërcënime nga DEASH, PYD dhe YPG, Erdoğan tha se hyrja e Turqisë në Siri së bashku me Ushtrinë e Lirë Siriane është mënjanimi i këtyre kërcënimeve.

“A e dini se në duart e organizatave terroriste dolën armë të miqve tanë? E ato janë të pranishme te ne, deri te numrat serikë të tyre. Megjithatë, kur ua themi atyre këtë, ata nuk interesohen. Ka që thonin se ato janë armë të kohërave të kaluara. Dikush tjetër thotë se PYD-në dhe YPG-në nuk i konsiderojnë organizata terroriste. Pse? Sepse ata po luftojnë kundër DEASH-it. Atëherë mos e konsidero as Al Nusran. Edhe Al Nusra lufton me DEASH-in. A mund të themi se është mirë vetëm pse një terrorist lufton kundër një terroristi tjetër. Aktualisht, ne po e shohim këtë në Siri dhe Irak”, theksoi presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.

“Nuk mund ta lëmë botën në dorën e një shteti”

Erdoğan përsërit edhe njëherë se ‘bota është më e madhe se pesë’. Sipas tij, nuk është e mundur sot bota të udhëhiqet sipas kushteve që u përcaktuan në Luftën e Dytë Botërore. “Nuk mund ta lëmë botën në dorën e një shteti”, tha Erdoğan.