Kandidati kryesor për ambasador nga Donald Trump në Bashkimin Evropian, Theodore Roosevelt Malloch, tha se monedha e përbashkët e eurozonës “mund të përjetojë një kolaps” gjatë 18 muajve të ardhshëm.

Në një intervistë me “BBC”, Malloch tha se këtë vit euro do të dështojë në tregun valutor botëror dhe se nga mesi i vitit të ardhshëm do të zhduket plotësisht.

“Unë nuk jam i vetmi person apo ekonomist me këtë qëndrim. Figura të shquara si laureati për Nobel, Joseph Stiglitz, ekonomist i Bankës Botërore, kanë shkruar një libër të tërë për këtë temë”, ka thënë Malloch.

Sipas tij, Uashingtoni dhe Londra mund të arrijnë një marrëveshje të tregtisë së lirë brenda 90 ditëve pas aktivizimit britanik të nenit 50 që të largohet nga BE-ja.

SHBA pret një Brexit të pastër me Britaninë. Pasi Londra të largohet nga tregu i përbashkët, do të nënshkruajë një marrëveshje të tregtisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vuri në dukje ai.

Deklarata e Theodore Roosevelt Malloch, i cili ishte i angazhuar si një funksionar i Shteteve të Bashkuara në OKB në Gjenevë, vjen përpara një takimi të kryeministres britanike, Theresa May, me presidentit amerikan Trump në Uashington.