Në sheshin “Skënderbe” në Shkup ka filluar protesta e paralajmëruar dhe e organizuar nga  Këshilli i familjarëve të të burgosurve shqiptarë në Maqedoni. Protestuesit mbajnë në duar pankarta me mbishkrime si: “Kur ligji është i padrejtë vet shteti është burg”, “Drejtësia është paqe”, “Protestoj për të shëruar plagë dhe për të tharë lot”, “Duam rigjykim të rastit Alfa”, etj.

Në protestë do të mbajë fjalim kryetari i Shoqatës së të burgosurve politik shqiptar, Shpëtim Pollozhani, por edhe një familjarë i Almir Aliut. Pritet që pas fjalimeve, të protestohet edhe përpara Gjykatës së Apelit.

“Protesta mbahet në shenjë revolte revolte për të gjithë proceset e fabrikuara që nga viti 2001 deri në ndërrim të pushtetit pas zgjedhjeve parlamentare. Protestojmë kundër aktgjykimeve të fabrikuara në bazë të dëshmitarëve të fshehur- shpifur dhe kundër dhjetëra shkeljeve procedurale për sjelljen e vendimeve – dënim me burg të përjetshëm për dhjetëra shqiptarë. Kërkojmë rigjykim për rastin ’Alfa’, ‘Lagja e trimave’ dhe shume raste të tjera. Moto e protestës: E vërteta në shesh, në burg dergjen njerëz-prindër të pafajshëm”, thuhet në njoftimin e Shoqatës./Alsat-M