Gjermania ka nisur sot tërheqjen e trupave nga baza ajrore në Turqi, nga ku ata deri tani i kanë përkrahur operacionet ndërkombëtare kundër Shtetit Islamik (ISIS), pas një mosmarrëveshjeje me Ankaranë për qasjen në bazë, njofton Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë.
Tërheqja e trupave nga baza Incirlik, e aprovuar nga Parlamenti gjerman muajin e kaluar, shënon edhe një hap më tej në njërën nga shumë mosmarrëveshjet bilaterale mes dy vendeve aleate të NATO-s, transmeton Express.

Aeroplanët luftarakë gjermanë do të operojnë nga baza Incirlik deri të paktën në fund të korrikut, si pjesë e një misioni për të ofruar ndihmë zbuluese për operacionet e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Në ndërkohë, materialet e nevojshme do të zhvendosen në një bazë ajrore në Jordani, ku aeroplanët luftarakë do të vendosen kah tetori./Express/