Kandidati i BDI-së për kryetar të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, përmes pres konferencës së sotme për media është shprehur se është plotësisht i vetëdijshëm për sfidat të cilat e presin, por me një angazhim dhe përkushtim siç tha, “do t’ia dalim”.

“Unë jam plotësisht i vetëdijshëm që kam premtuar shumë, por të nderuar qytetarë të Komunës së Çairit, ju duhet të besoni në mua, dhe po ju premtoj, se të gjitha këto premtime do të bëhen realitet. Pastërtia, rregullimi i infrastrukturës dhe problemi me qentë endacak do të jenë prioritet mbi prioritetet e mia.

Për pastërtinë, do ta formojmë një ndërmarrje që do të merret me të vetëm në Komunën e Çairit. Problemin me qentë endacak do të ulemi së bashku me OJQ-të të cilat merren me të drejtat e kafshëve të hartojmë një strategji për largimin e tyre nga rruga”, tha mes tjerash Ganiu.

Ai po ashtu u zotua se pjesët gjelbëruese të Komunës do të mbrohen dhe nuk do të lejojmë siç tha, “në këto pjesë të ndërtohet”.

“Gjatë takimeve me qytetarët e Çairit, gjatë kësaj periudhe të fillimit të vitit shkollor, por edhe unë si një njeri i cili gjatë tërë punës time të deritanishme ia dedikova arsimit, e di që shumë familje, me vështirësi financiare dhe që jetojnë nga asistenca sociale, kanë ngarkesë të madhe dhe e kanë të vështirë që të pajisin me mjetet shkollore fëmijët e tyre. Prandaj, qeveria e re komunale do të miratojë masa për mbështetjen e tyre, pra para fillimit të çdo viti shkollor do të ndajmë kuponë për të blerë mjete shkollore, për të gjithë qytetarët të cilët hyjnë në kategoritë e rrezikuara sociale”, u shpreh Ganiu.

“E di se kam premtuar një program shumë të gjerë, por e di që më pret edhe  një punë serioze për t’u bërë për zbatimin e tij, por sinqerisht shpresoj që të gjitha sfidat të cilat i  bart funksioni i ri,  dhe në të cilën shpresoj se do të arrij, me zërin e qytetarëve që të dielën”, deklaroi Visar Ganiu, kanditat për Komunën e Çairit.