Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq ka thënë se ka humbur shpresat për gatishmërinë e Prishtinës për të punuar në zbatimin e marrëveshjeve së arritur në Bruksel, por shtoi se ai është i bindur se do të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

“Mendoj që është e nevojshme që menjëherë të fillohet puna në hartimin e Statutit për themelimin e AKS-së. Beogradi është i gatshëm që menjëherë të punojë me Brukselin për zhvillimin e Statutit. Gjithashtu, ne nuk pranojmë ndonjë pretendim për veprime të njëanshme në këtë drejtim, për shkak se AKS-ja nuk duhet ta formojë as Prishtina e Isa Mustafa, por tashmë serbët nga Kosova kanë mbështetjen e Beogradit”, tha Gjuriq.

Serbia, nga ana tjetër, tha ai, duhet të zbatojë ligjin dhe të respektojë marrëveshjet e arritur, si në drejtimin ndërkombëtar ashtu edhe në atë të brendshëm, shkruan Blic, transmeton lajmi.net.

“Kurrë nuk do të heqim dorë nga interesat tona, mirëpresim themelimin e AKS, jam i bindur se themelimi i kësaj marrëveshje nuk ka alternative tjetër dhe se është e vetmja mënyrë për të arritur marrëveshje normale politike midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Sa më shpejtë që përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Kosovë të marrin vendim për këtë marrëveshje aq më mirë për ta, në të kundërtën mos formimi i AKS-së do të ketë dëme më qindra miliona euro”, tha ai.

Gjuriq ka thënë se Prishtina ka krijuar një atmosferë me të cilën e ka paraqitur AKS-në si diçka të padëshirueshme, edhe pse në fakt AKS-ja zgjedhë shumë probleme në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, transmeton lajmi.net.

Siç shpjegon ai, liderët politik shqiptarë në Kosovë po vazhdojnë të shkaktojnë ndenja anti-serbe për të fshehur faktin se për 16 vjet nuk kanë bërë asgjë për të ndërtuar ekonominë, edhe pse komunitetit ndërkombëtarë që nga viti 1999 në Kosovë ka investuar rreth 60 miliardë euro.

“Ju prisni që kur të shkoni në Kosovë, ajo do të duket më e bukur se Zvicra. Por, kur ju shkoni nëpër komunitetet shqiptare, krejt çka do të shihni është ekonomi e pazhvilluar. Ka vetëm larje makinash, stacione gazi dhe disa dyqane artizanale. Dikush këtu ka vjedhur paratë që janë dhënë për investime.

Kjo është arsyeja që sot shqiptarët në Kosovë janë të varfër, të uritur dhe të pakënaqur, këtë e dëshmon edhe largimi i dhjetëra mijëra që ikin nga Kosova çdo vit”, ka përfunduar Gjuriq.