Gjykata Administrative ka përfunduar të gjithë seancat dëgjimore për pesë paditë e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së ndaj vendimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për procesin zgjedhor. Megjithatë nga ky institucion akoma nuk ka asnjë vendim. Në këto seanca edhe një herë u dëgjua pala paditëse kurse debati mes këshillave të gjykatësve dhe vendimi përfundimtar, bëhen pas dyerve të mbyllura. Gjykatësit thanë se vendimi mund të publikohet sot ose e shumta, deri nesër. VMRO-DPMNE-ja ka ankimuar në Gjykatën Administrative vendimin e KSHZ-së për rivotim në një vendvotim në Gostivar pas ankesës së Besës, pasi e konsiderojnë atë joligjor, të marrë jashtë afatit dhe pas një ekspertize që, sipas tyre, nuk është kompetencë e KSHZ-së. LSDM-ja nga ana tjetër ka ankimuar katër vendimet për refuzimin e ankesave të saj për parregullsi në disa vendvotime në njësinë e gjashtë zgjedhore.

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev nuk deshi të komentojë pritshmëritë e tij nga Administrativja, por tha se ky institucion duhet të lihet i lirë të bëjë punën e tij.

“Unë jam i detyruar si një prej palëve politike që përfaqësoj të kërkoj që institucionet të mbarojnë punën e tyre. Si do të vendosin ato, ajo është e drejtë e tyre në bazë të ligjit. Ky është proces që duhet të përfundojë me procedura të ndërsjella KSHZ – Gjykatë Administrative”, u shpreh kryetari i LSDM-së Zoran Zaev.

Të dy partitë mendojnë se rivotimi në vendvotimin 0396/1 në Gostivar mund të ndryshojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, pas çka, VMRO-DPMNE dhe LSDM mund të kenë numër të njëjtë mandatesh 50 me 50. /alsat-m/