Seanca gjyqësore në të cilën duhej të thuheshin fjalët përfundimtare për rastin e Kumanovës u anulua. Sipas avokatit mbrojtës Naser Raufi, kjo seancë është anuluar me arsyetimin se Prokuroria Publike nuk është e përgatitur për fjalët përfundimtare.
Raufi tha se e gjithë aktakuza është e gabuar dhe nuk bëhet fjalë për veprat penale “terrorizëm” dhe “organizatë terrorise ” me të cilat ngarkohen 37 personat, sipas tij mospërgatitja e Prokurorisë bazohet pikërisht në këtë. Seanca e rradhës është caktuar për më datë 20 korrik.

“Seanca për fjalët përfunduese të prokurorisë u anulua, me arsyetim se prokuroria nuk është e përgatitur për fjalët përfunduese. Unë mendoj që kjo mospërgatitje e prokurorisë bazohet në atë se është aktakuza e gabuar, praktikisht. Seanca e radhës është përcaktuar për më datë 20 të këtij muaji, mandej terminet tjera janë për 28 dhe 31 korrik. Tjerat seanca do të vazhdojnë në shtator, prej tani tashmë janë caktuar”, thotë Raufi

Ndërkaq, avokati tjetër Ibrahim Bajrami, thotë se pala mbrojtëse pret që Gjykata t’u lejojë kohë të barabartë me prokurorinë, në mënyrë që të jenë në përputhje me fjalën përfundimtare të prokurorisë.

“Nga përmbajtja e fjalës përfundimtare të prokurorit publik, i cili shihet që ende nuk janë të përgatitur dhe kanë nevojë për kohë shtesë, do të determinojë edhe dinamikën dhe fjalën përfundimtare të mbrojtjes. Ashtu që ne presim si mbrojtje që Gjykata të na lejojë një kohë të barabartë me prokurorin që të mund edhe ne të jemi në përputhje me fjalën përfundimtare të prokurorisë”, thotë Bajrami.

Familjarët janë të zhgënjyer për shkak të zvarritjes së këtij gjykimi. Jetulla Elshani, babai i Bajram Elshanit, thotë se për ta është një maltretim i madh fakti që duhet të udhëtojnë nga Kosova dhe si përfundim të anulohen seancat.

“Kemi ardh sot nuk mbahet seanca, për ne është një malltretim I madh. Në vend që të dalin njerëzit, të japin dëshmitë ata që duhet të dëshmohen, udhëheqësia Qeveria. Se këtu kanë pjesë të dy Qeveritë, nuk po them vetëm Qeveria e kaluar e Maqedonisë, por edhe Qeveria e Kosovës kanë punë.Këto i kanë ndarë punët, dredhitë, le të thojnë sa të duan kanë punë këndej andej. Këta i kanë përgjimet, sipas përgjimeve që I kanë këta, duhet me dal këto.”, thotë Jetulla Elshani.

Në anën tjetërm avokati Naser  Raufi, vendimi përfundimtar për rastin e Kumanovës do të merret në fund të muajit shtator, pasi tanimë janë caktuar 10  seancat e ardhshme, 3 për në muajin korrik dhe shtatë për në muajin shtator.