Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi refuzuan ftesën e kryeministrit shqiptar Edi Rama për një takim në Tiranë. Duke dhënë shpresë për Nikola Gruevskin që të bëjë qeverinë bashkë me 12 deputetët e partive të vjetra shqiptare. Të cilat ashtu sikurse katër vite më parë janë në garë për të marrë poste në këtë qeveri, pavarësisht interesit të shqiptarëve në Maqedoni. Që kërkojnë krejt gjë tjetër: Barazi në shtetin maqedonas dhe trajtim të barabartë. Kështu që gjasat janë që qeverinë e ardhshme në Maqedoni ta formojë VMRO-BDI-PDSH. Mësohet se refuzimi që i është bërë Edi Ramës për takim, nuk do të thotë se përfaqësuesit e dy partive shqiptare Ali Ahmeti dhe Meduh Thaçi nuk kanë marrë orientim nga Shqipëria, nga liderë të veçantë të saj. Duke garantuar mbështetje nga ky lider. Përvoja ka treguar disa herë rresht se sa herë që Ahmeti dhe Thaçi kanë refuzuar Edi Ramën, të dy janë takuar dhe janë konsultuar me kreun e LSI aktualisht numri dy i shtetit si kryetar Kuvendi, Ilir Metën.
Në qarqet mediatike të shqiptarëve të Maqedonisë por dhe në radhët e politikës thuhet se “Qeveria e Nikola Gruevskit me BDI të Ali Ahmetit dhe PDSH të Meduh Thaçi do të bëhet dhe falë ndërhyrjes së njeriut të 700 mijë eurove para kamerave dhe mafies serbo-shqiptare ballkanase. Kanë marrë mendjen e tij, pra të Ilir Metës dhe jo të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama që ka treguar se është kryeministri i gjithë shqiptarëve me qëndrimet që po mban në favor të shqiptarëve kudo që janë”. Dhe gjithë këto makinacione bëhen në momentin kur për herë të parë Maqedonia është në dorën e shqiptareve. Dy partitë e mëdha janë pothuajse barazim në rezultat dhe asnjëra nuk bën dot pa shqiptarët. Por as partitë shqiptare nuk bëjnë dot pa BDI-në e Ali Ahmetit, e cila edhe pse nën presion arriti të marrë 10 deputetë.
Ky është numri magjik që i dha në dorë Ali Ahmetit çelësin e qeverisë së re. Kreut të BDI-së ju kërkua të ishte të martën në Tiranë për konsultime me Kryeministrin Rama, por ai nuk u paraqit.
Bashkëpunëtorët e Ahmetit e justifikojnë mungesën me axhendën, kaosin në Maqedoni, por edhe negociatat dhe përgjigjja për kërkesën për takim është se mbase ndodh javën e ardhshme. Burime në Shkup thonë për mediat se në BDI nuk e kanë pëlqyer aspak afërsinë me Tiranën të deputetit Muhamed Zeqiri nga radhët e LSDM dhe bashkëpunëtor i Zoran Zaev, liderit të opozitës. Ky i fundit, të hënën kërcënoi që askush mos të negocionte me ish-kryeministrin Gruevski për qeverinë e re. Partitë shqiptare ndërkohë vënë kushte, Lëvizja Besa ka një kusht më shumë, që mos bëjë asnjë koalicion me BDI-në, por këtë kusht nuk e ka Aleanca për Shqiptarët. Shifrat tregojnë që pa BDI-në është e pamundur të krijosh qeverinë, vetëm nëse deputetët e partive maqedonase braktisin partitë përkatëse. Ndërkohë, mësohet se BDI do ketë kushtet e veta që lidhen me pikat e marrëveshjes e Ohrit, por edhe me një përfaqësim të gjerë të shqiptarëve në qeverisje.
Analistë në Shkup thonë se Gruevski mund ti ketë premtuar shqiptarëve postin e kryetarit të parlamentit, si dhe poste të ministrave që gjithmonë i kanë mbajtur maqedonasit. Zgjedhjet nuk i dhanë zgjidhje krizës, do jenë shqiptarët ata që do vendosin të ardhmen e Maqedonisë.
Kreu i PDSH-së Menduh Thaçi i kontaktuar nga media ka refuzuar të sqarojë nëse ka hequr dorë nga mbështetja e Lëvizjes Besa. Ai nuk komentoi as zërat nëse kjo parti ka filluar bisedimet me BDI-në për pjesëmarrje të mundshme në qeveri me VMRO DPMNE-në. Thaçi tha shkurt se nuk dëshiron të japë deklaratë politike. Nga ana tjetër dyshimet për ndryshim të qëndrimit të PDSH-së u ngritën pas deklaratës së anëtarit të kryesisë qendrore të PDSH-së Azem Sadiku i cili në një emision në Televizionin 21 hodhi poshtë idenë që Thaçi të ketë ofruar mbështetje të pakushtëzuar për Lëvizjen Besa. Sadiku tha se PDSH do ta mbështesë me deputetët e saj Lëvizjen Besa vetëm për çështjet madhore siç do të vepronte edhe me partitë e tjera shqiptare.
Ndryshe nga kreu i partisë Thaçi, i cili fitues të zgjedhjeve në bllokun shqiptar kishte shpallur Lëvizjen Besa, Sadiku tha se fitues i këtyre zgjedhjeve është BDI. Të gjitha këto lëvizje tregojnë se BDI e Ahmetit dhe PDSH e Thaçit me përkatësisht 10 dhe 2 deputetë janë të orientuar drejt koalicionit me Gruevskin. Duke formuar një qeveri të mbështetur nga një koalicion me 63 deputetë. Pa llogaritur ndonjë rrjedhje tjetër drejt pushtetit. Me “bekimin” dhe të kreut të LSI dhe të Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, që e nuhat kilometra larg pazarin dhe vendin ku ka lekë. Madje kërkon t’i japë një dorë Gruevskit, dhe ky si një person që ka ushtruar sportet e rënda. Shqiptarët duket se do ta humbin shansin për të pasur në dorë të ardhmen e Maqedonisë dhe kontribuar që ajo të integrohet në NATO dhe BE. Gruevski është i padëshiruar nga Perëndimi dhe rrezikon të kthejë Maqedoninë në një bazë të Rusisë në Ballkan. Shqiptarët po i japin me sa duket një dorë këtij skenari. Thjeshtë për pushtet. Ndërsa Ilir Meta thjeshtë dhe qartë për para./Pamfleti.com