Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, i dyshuar në rastin “Titanik”, të hapur nga Prokuroria Speciale Publike, duhet që çdo të premte, prej orës 8 deri në 12, të paraqitet te personi i autorizuar zyrtar në Gjykatën Penale të Shkupit, mëson portali plusinfo.mk, tranmseton Gazeta Express.
Kjo, si masë parandalimi, deputetit aktual në Kuvendin e Maqedonisë i është shqiptuar nga gjykata e cila urdhëroi edhe konfiskimin e pasaportës së tij.

 

Gruevski në rastin “Titanik” është i dyshuar për mashtrime zgjedhore dhe mbeti pa pasaportën e tij diplomatike, ndërsa masa parasheh edhe ndalimin e largimit të tij nga Maqedonia edhe me dokument tjetër udhëtimi.

PSP-ja, përndryshe, për Gruevskin dhe disa funksionarë të tjerë shtetërorë e partiakë të afërt me të, kërkoi masën e sigurisë paraburgim, por gjykata vendosi vetëm t’ua konfiskojë dokumentet e udhëtimit dhe t’i urdhërojë që çdo javë të paraqiten në gjykatë.

Dita e paraqitjes së Gruevskit, sipas medias maqedonase, ruhej si “top-secret” nga gjykata, e cila në komunikatën për masat ndaj të akuzuarve kishte heshtur ditën kur ish-kryeministri duhet të paraqitet në gjykatë.

Plusinfo nuk tregon si erdhi deri te informata se e premtja është dita kur lideri i VMRO-së duhet të paraqitet para personit zyrtar gjyqësor./Gazeta Express/