Kontrollet e shtuara ditëve të fundit nga inspektorët e Drejtorisë për të ardhura publike kanë bazë dhe prapavijë politike, konsiderojnë aktivistë dhe drejtuesit e OJQ-ve. Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Shkup, Uranija Pirovska, në të cilin komitet për 3 ditë tashmë po kryhen inspektime financiare nga DAP thotë se ky institucion po kalon kompetencat si pasojë e presionit politik.

“Absolutisht, e konsiderojmë si tendencioze dhe si presion kontrollin e bërë nga DAP-i. Duke pasur parasysh faktin që nga 6 dhjetori na u bë me dije se do të bëhet kontroll financiar, që atëherë na janë paraqitur këtu. Është dita e tretë që po bëhet kontroll, ndërsa e njëjta është duke u bërë në 19 organizata”, deklaroi Uranija Pirovska, Kryetare e Komitetit të Helsinkit.

Ish drejtori i Fondacionit Soros në Maqedoni Vladimir Milçin konsideron se faktin që pas kontrolleve qëndrojnë duart e pushtetit aktual, e vërteton edhe vetë deklarata e kryetarit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski para KSHZ-së kundër shoqatave që ndihmohen me fonde nga Sorosi.

“Desoroizimi i Maqedonisë! Është shumë e vështirë që dy punët, kontrollet e inspektorëve të DAP-it dhe fjalimi i Nikolla Gruevskit të mos pasojnë njëra tjetrën dhe të mos flitet se ka prapavijë politike pas kësaj. E di që kërkohet raport financiar nga periudha 1-5 dhjetorë 2016”, u shpreh Vladimir Milçin, Ish drejtor i Fondacionit SOROS.
Edhe aktivisti Petrit Saraçini konsideron se DAP po funksionon si marionetë politike, i cili akuzon qeverinë për keqpërdorim e fondeve IPA.

“Për 10 vite e më tepër VMRO-DPMNE kishte pushtet absolut në Maqedoni duke pasur në duar edhe Prokurorinë edhe policinë edhe gjykatë dhe nuk e di se si gjatë këtyre viteve nuk u shpalos asnjë rast i keqpërdorimit i mjeteve financiare nga OJQ-të. I vetmi keqpërdorim është ai i fondeve evropiane për arsim nga ana e Qeverisë së Maqedonisë dhe për këtë shkak BE-ja i ndërpreu ato fonde”, tha aktivist Petrit Saraçini.

Nga Drejtoria e të ardhurave publike shpjeguan për Alsat se bëhet fjalë për kontrolle të rregullta.

“Në rastin konkret bëhet fjalë për procedim të kërkesës së lëshuar nga një organ shtetëror deri tek DAP që nga muaji nëntor i këtij viti, organ ky i cili ka të drejtë të iniciojë kontroll të punës materiale dhe financiare”.

Drejtoria e të ardhurave publike për tre ditë është duke kryer kontrolle financiare në 19 zyra të OJQ-ve. Për koincidencë kontrollet pasojnë deklaratën e ish kryeministrit Nikolla Gruevski i cili ditë më parë para KSHZ-së tha se do të vazhdojë luftën për “Desoroizimin e Maqedonisë”