Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe ish kryeministri Nikolla Gruevski sot sërish nuk u paraqit në bisedë në Prokurorinë Speciale Publike.
Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Ivo Kotevski në dalje të PSP-së u shpreh se nuk e di se ku është Gruevski.

Sipas informatave jozyrtare, ai sërish nuk e ka pranuar ftesën nga PSP-ja dhe për momentin gjendet jashtë vendit.

Në mëngjes në PSP ka qenë edhe ish drejtori i Drejtorisë së Pestë, Goran Grujevski i cili gjithashtu është marrë në pyetje megjithatë  nuk është e qartë se a për rastin “Fortesa” ose “Target”. Dhe të dy rastet kanë të bëjnë me përgjim joligjor.

I dyshuari i parë i rastit është kryetari i partisë të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili të premten nuk u paraqit në marrje të pyetjeve në PSP sepse nuk ka marrë ftesë. Nëse nuk përgjigjen në ftesë, prokurorët paralajmëruan se do të kërkojnë nga gjykata të jep urdhër të detyruar.

Ndryshe, javën e kaluar për rastin “Talir” në PSP janë paraqitur sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së dhe ish kryeministri teknik, Emil Dimitriev, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniela Rangellova, si dhe deputetja e LSDM-së, Frosina Tashevska- Remenski.

Të tre funksionarët e VMRO-DPMNE-së pas daljes nga hapësirat e PSP-së deklaruan se nuk kanë dhënë dëshmi, por kanë kërkuar kontroll të dëshmive dhe pasi t’i marrin do të deklarohen për veprat penale për të cilat i akuzon PSP-ja.

Siç kanë transmetuar disa media edhe avokati Nikolla Dodevski do të ftohet si dëshmitar në Prokurorinë Speciale Publike (PSP)  për rastin “Talir” dhe në këtë mënyrë ai nuk do të mund të jetë avokat i liderit të VMRO-DPMNE-së, dhe ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, për rastin “Talir”./Gazeta Express/