Faktori ndërkombëtarë vijon presionin ndaj kryetarit të shtetit Gjorgje Ivanov. Përfaqësues i posaçëm i Qeverisë gjermane për Evropën Juglindore, Kristian Halbah pas takimeve kokë më kokë me partitë politike, deklaroi se Ivanov duhet të respektojë shumicën parlamentare në mënyrë që qeveria të mund të formohet sa më shpejtë. Halbah, mes tjerash, theksoi se është shumë e rëndësishme që Prokuroria Speciale të vazhdojë me punën e saj  dhe se nuk asgjë të keqe në Platformën e përbashkët të partive shqiptare.

Pas takimeve që kisha dje dhe sot jam i bindur se kryetari i shtetit duhet të respektojë rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe ti lejojë shumicës parlamentare të krijojë sa më shpejtë qeverinë e re. Dua të theksoj se është shumë e rëndësishme që Specialja të vazhdojë punën e saj në bashkëpunim me institucionet e tjera të pavarura dhe kredibile –deklaroi Kristian Halbab Përfaqësues i posaçëm i Qeverisë gjermane.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nga ana tjetër tha se partitë politike shqyrtojnë mundësitë për zhbllokimin e parlamentit nëse Ivanov nuk dorëzon mandatin.

Është biseduar mbi mënyrat se si të zgjidhet kriza politike në vend, cilat janë masat që kjo krizë mos të thellohet edhe më tej, të mos shëndrohet nga krizë politike në krizë mes etnive. Jemi duke biseduar me të gjitha partitë politike relevante. Nuk ka nevojë sa për zhurmë as për përlplasje që të vazhdojë punën normale Parlamenti i Maqedonisë – tha Ali Ahmeti Kryetar i BDI-së.

Lideri i LR-PDSH-së Zijadin Sela pas takimit me diplomatin gjerman tha se tërheqje nga Platforma e Përbashkët nuk do të ketë, dhe se me veprimet e fundit, Ivanovi vetëm thellon krizën politike. Madje, Sela përgënjeshtroi zërat për dënim prej 5 mijë eurove nëse nuk mësohet gjuha shqipe.

Falminderit jo. Unë për vete kurrë nuk do të heq dorë nga Deklarata e Përbashkët. Sepse realisht e kanë bërë gogol këtë deklaratë. Kjo deklaratë është të ndahen paratë e zhvillimit barabartë rajonal, ligj i sjellur në vitin 2009 nga VMRO-ja e që nuk është respektuar – Zijadin Sela Kryetar i LR-PDSH-së.
Edhe nga Lëvizja Besa e vlerësojnë si të gabuar vendimin e Ivanovin për mos dhënien e mandatit Zoran Zaevit.

Unë jam optimist se politikanët do të reflektojnë dhe do ta kuptojnë se veprimet e tyre janë të rëndësishme, përcaktuese dhe determinuese për fatin e çdo qytetari këtu në Maqedoni dhe në këtë drejtim edhe vendimet që do ti marrin duhet të jenë vendime shumë serioze dhe vendime të cilat para interesit të tyre personal duhet të vendosin interesin e qytetarit – tha Bilall Kasami Kryetar i Lëvizjes Besa./alsat-m