Kandidati për kryetar të komunës së Sarajit Blerim Bexheti nga radhët e BDI-së, në Programin e tij zgjedhorë “parasheh investime kapitale të jashtme në Saraj”. Një ndër investimet më të mëdha është “investimi në Liqenin e Treskës”. Blerim Bexheti thotë se tani më pritet vetëm një vendim i Ministrisë së Ekonomisë, që “Liqeni i Treskës të shpallet zonë e lirë Turistike”, ndërsa komuna po përfundon dokumentacionin e nevojshëm.

Kur ta dëgjosh këtë prezantim bombastik tingëllon joshës, tërheq vëmendjen e lexuesve, po të mos ishim në fushat zgjedhore ndoshta dikush do ta gëlltiste këtë përallë, por fatkeqësia e politikë-bërjes shqiptare dhe premtimet e pa baza na kanë mësuar që ti shqyrtojmë më me kujdes premtimet parazgjedhore të partive politike vizavi mundësive reale të realitzimit të tyre.

Po të thellohesh në detajet e prezantimit të projektit vetëm se të shkakton një huti, pasi që shuma financare që ceket është maramendëse në vlerë prej 300 milion euro. Mega projekte të këtyre përmasave jo vetëm që nuk ka pasur Maqedonia, nuk ka pasur bile as rajoni në sferën e turizmit.  Kjo gjë të ngjallë dyshime dhe të shtyn ta lexosh përsëri duke u hamendur se vallë zotëriu po flet për Dubai apo për një komunë rurale në periferi të Shkupit? Kjo e bën edhe më intriguese kureshtjen tonë prej gazetari që të gjurmosh më hollësisht për projektin në fjalë.

Kulmi i injorancës del në sipërfaqe kur të shohësh versionin e animuar të prezantimit të projektit, befasia i tejkalon të gjitha pritshmëritë e mendjes së shëndoshë. Është një tallje përbuzëse dhe një amaterizëm i paparë në aspektin profesional arkitektonik, pa dyshim se është denigruese për banorët e komunës së Sarajit, është një fyerje dhe nënçmim i intelegjencës edhe për fëmijët e moshës minore.

Nuk ke si ta definosh ndryeshe vetëm mund të supozojmë se vallë, Kandidatit i ka hyrë vetja në qef dhe ka improvizuar vetë projektin në laptopin e tij, nën ndikimin e halucinacioneve edhe efekteve anësore nga konsumi i ndonjë produkti të caktuar nën ethet e ambientit para zgjedhor; ose kandidati në fjalë, votuesit e komunës Saraj i llogaritë se janë të gjithë të degjeneruar dhe qëllimin e ka pasur të tallet me ta?

Për më tepër mund ta shihni videon e projektit në fjalë të prezantuar nga kandidati i BDI-së për komunën e Sarajit dhe të vlerësoni vallë ka apo nuk ka fare kontakt me realitetin ky “projekt kapital” :