Kuvendi ka votuar në seancën e djeshme ngritjen e Autoriteti për hapjen e dosjeve të Sigurimit vetëm me votat e mazhorancës, teksa opozita braktisi votimin në shenjë proteste pasi kërkonte që të votohej një person i propozuar nga PD si pjesë e kandidaturave të zgjedhura nga Parlamenti. Debatet mes PS dhe PD kanë qenë të mëdha në Kuvend, ku palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për vonesa në këtë proces.

Gjithsesi, me votat e mazhorancës u arrit të zgjidheshin 5 anëtarët e Autoritetit, i cili do të merret me hapjen e dosjeve të Sigurimit. Kuvendi miratoi kandidaturën e propozuar nga LSI, Altin Hoxha, me 76 vota pro, 1 kundër dhe 3 abstenim. Mariglen Kasmi,  kandidatura e paraqitur nga PS u miratua me  77 vota pro dhe 3 kundër. Po ashtu, u zgjodhën  edhe tre kandidaturat e tjera, kandidatura e ish-të përndjekurve politikë, Daut Gumenin, me 76 vota pro. Ndërsa kandidatura e propozuar nga shoqata e të Drejtave të Njeriut, Simon Mirakaj, mori 75 vota. U rrëzua kandidatura e PD-së, Selami Zalli, me 67 vota kundër, 9 pro dhe 4 abstenim. Po ashtu, Parlamenti miratoi edhe kandidaturën e propozuar nga Këshilli i Ministrave, Gentiana Sula, e cila mori 77 vota pro, 1 kundër edhe 1 abstenim. Edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, mësohet se Gentiana Sula do të jetë kryetarja e Autoritetit që do të merret me hapjen e dosjeve të Sigurimit. Debatet në lidhje përfaqësimin në këtë autoritet ishin të mëdha pasi Autoriteti do të ketë funksion jo vetëm hapjen e dosjeve por edhe në vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, pra verifikimin nëse ata kanë qenë të përlyer në kohën e komunizmit. Për këtë arsye PD insistoi shumë që të kishte përfaqësuesin e saj në këtë Autoritet, por kryeministri gjatë fjalës së tij tha se kandidatura e paraqitur nga PD nuk ishte aspak e përshtatshme.

Kategoritë që mund të informohen

Ligji ka përcaktuar qartë kategoritë që kanë të drejtë të kërkojnë informacion dhe sipas tij, çdo person ka të drejtën të informohet mbi dokumentet e ish-Sigurimit kur ai ka cilësinë e të prekurit, palës së tretë, bashkëpunëtorit apo të favorizuarit të ish-Sigurimit të Shtetit ose është një përfaqësues me prokurë i këtyre të fundit. Por ata që kanë të drejtën kryesore për të hapur dosjet janë personat e prekur nga ish-Sigurimi i Shtetit apo palët e treta. Sipas nenit 21, informacioni i marrë nga Autoriteti për Hapjen e Dosjeve përmban një përshkrim të dokumenteve ekzistuese dhe të përgatitura për personin e prekur dhe një riprodhim të thelbit të përmbajtjes së tyre. Ata kanë të drejtë të njihen dhe me emrin e bashkëpunëtorëve të Sigurimit që kanë mbajtur pseudonime, nëse këta të fundit kanë qenë mbi 18 vjeç në atë kohë. Ligji kufizon përdorimin e të dhënave në dëm të palëve të prekura kur ato janë marrë në mënyrë të jashtëligjshme. Po ashtu emrat nuk mund të publikohen kur gjykata vendos se dëmtohen hetimet, apo në rastet kur rrezikohet siguria kombëtare.

Të afërmit

Një tjetër kategori që ka të drejtë të informohet mbi dosjet janë dhe të afërmit e personave që janë zhdukur apo vdekur. Këtu futen bashkëshortët fëmijët, prindërit, nipërinjt e mbesat, vëllezërit e motrat, fëmijët e vëllezërve dhe motrave të të vdekurve apo zhdukurve. Informacioni u vihet në dispozicion vetëm për rehabilitimin e tyre apo thjesht për t’u informuar mbi atë se çfarë u ka ndodhur. Gjithashtu të afërmit duhet të faktojnë lidhjen me personin. Informacionet nuk zbulohen kur vetë personi para vdekjes është shprehur me shkrim që ato të mbeten sekrete.