Ramush Haradinaj thotë se Kosova ka nevoja bazike për të cilat do të kujdeset, pasi ka pasur shumë ngecje. Kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma thotë se në qeverisjen e tij do të ketë bashkëpunim më të madh me Tiranën.

“Kemi ngecje në ekonomi dhe është krijuar një distancë e pakuptimtë mes sipërmarrësve, fermerëve dhe të gjithë atyre që punojnë në Kosovë dhe qeverisë. Pra, duhet të krijojmë një lidhje të afërt me të gjithë ata që janë në punë dhe po ashtu duhet të lidhim njerëzit tanë në diasporë me punët që bëhen këtu. Këto janë çështje bazike që duhet trajtuar menjëherë”, deklaron Haradinaj.

Haradinaj thotë se dëshiron marrëdhënie të mira me fqinjët dhe dialog me Serbinë. Por, në fokus ka lidhjet mes shqiptarëve.

“Beogradi nuk ka rol në Kosovë, nuk vendos për Kosovën. Ne jemi për dialog me fqinjët dhe dëshirojmë të forcojmë shumë bashkëpunimin me Tiranën zyrtare. Dëshirojmë ta bëjmë këtë në të gjitha fushat e jetës, pra në çdo lëm të rrisim shkëmbimet. Atë që prasheh BE’ja, qarkullimin e lirë ose një frekuentim më të madh të ideve, njerëzve dhe të mallrave. Ne duam të fokusohemi pikërisht në këto parime të BE’së, kurse me Serbinë jemi fqinj dhe nëse ata respektojnë reciprocitetin do ta respektojmë edhe ne”, thotë Haradinaj.

Moto e fushatës së tij është se, ka ardhur koha për ta bërë Kosovën përfundimisht shtet, pa u etiketuar me fusnotën e Brukselit.