Ramush Haradinaj ka reaguar pas shkrimeve të fundit se mund të jetë subjekt i Gjykatës Speciale duke thënë se këto janë agjenda që po mundohen t’i shtyjnë njerëzit e Klanit të Milloshevicit. Ka thënë se nuk i merr seriozisht këto kërcënime pasi ka verdikt nga drejtësia ndërkombëtare se akuzat ndaj tij ishin të pabaza.

“Të vetmit që vazhdojnë të meren me këtë punë, janë politikanët e Klanit të Millosheviqit, të cilët më nuk kanë kurrfarë fuqie që në emër të, gjoja drejtësisë, t’i shtyjnë agjendat e tyre politike, dhe unë nuk i marr fare seriozisht!”, ka thënë ai.

“ I kam respektuar ligjet e vendit tim dhe ligjet ndërkombëtare! Jam përballur me akuzat më monstruoze të prodhuara nga vrasësit e popullit tim dhe në një proces të gjatë e të mundimshëm, jam shpallur i pafajshëm për të gjitha pretendimet, nga instanca më e lartë e drejtësisë ndërkombëtare. Këtij verdikti i është bindur krejt Bota!”, ka shkruar Haradinaj në reagim

Ndërkohë, ka paralajmëruar se shpejt do t’i kthehet punës në Kosovë.

“Ky është i vetmi preokupim imi!”, ka shtuar ai.

Ramush Haradinaj aktualisht ndodhet në një qytet të Francës i ndaluar bazuar në një flet arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia. Deri tash janë mbajtur dy seanca gjyqësore, por ende nuk është marrë vendim për lirimin e tij. Po vazhdon të mbrohet në liri derisa nuk mund të largohet nga shteti francez. Vendimi tjetër i Gjykatës së Calmar pritet të merret në fillim të muajit mars.