Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme në lidhje me raportet Kosovë-Serbi pas zhvillimeve të fundit.

Ministri Hoxhaj deklaroi se, veprimet e fundit të Serbisë në raport me Kosovën dhe rajonin janë qasje provokuese dhe nuk janë raste të izoluara.

Ai ka shtuar se provokimet e Serbisë kanë qasje zinxhirore, ndërsa deklaroi se Serbia po përgatitet për skenarë të tjerë të provokimeve ndaj Kosovës.

“Qasja e Serbisë ndaj Kosovës dhe rajonit është qasje e provokimeve sistematike dhe nuk është aspak rast i izoluar. Provokimet sistematike të Serbisë nuk kanë mbaruar por ajo po përgatitet për më shumë skenarë të provokimeve ndaj vendit tonë dhe rajonit”,  u shpreh ai.

Ministri i Punëve të Jashtme gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme ka thënë se ka një tendencë të rritjes ushtarake të Serbisë.