Skena politike ka qenë shumë e polarizuar gjatë këtij viti. Për shkak të polarizimeve të mëdha, puna e bërë ka mbetur nën hijen e debateve politike, thotë në një intervistë për Telegrafin, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi shprehet se viti që lamë pas ishte vit i sukseseve dhe i sfidave në konsolidimin e shtetit të Kosovës. Sipas tij, pjesa veriore tani është krejtësisht nën juridiksionin e Kosovës. Ndërsa, uron që më 2017 “të merremi më shumë me punë dhe të debatojmë për të mirën e qytetarëve”.

Telegrafi: Vitit 2016 u karakterizu me probleme të shumta. Si e vlerësoni gjendjen në Kosovë?
Thaçi: Ka qenë vit i sukseseve në konsolidimin e shtetit të Kosovës, por edhe i sfidave, si çdo vit tjetër – në të shkuarën dhe në të ardhmen.

Pa u bërë nëntë vite nga shpallja e pavarësisë, pra pa e bërë një dekadë si shtet, kemi arritur të nënshkruajmë MSA-në. Pa marrë parasysh sa teknike të tingëllojë kjo, e vërteta është se MSA-ja është vlerësim i thuktë i gjendjes së përgjithshme në një shoqëri, në një shtet. Për Kosovën është mirënjohje për reformat në ekonomi, për forcimin e rendit dhe ligjit, për ndërtimin e institucioneve demokratike.

Kemi konsoliduar shtetin e Kosovës përbrenda. Pjesa veriore tani është krejtësisht nën juridiksionin e Kosovës. Kemi anëtarësuar Kosovën në organizata dhe konventa të rëndësishme ndërkombëtare. Nuk bën të harrojmë as sukseset në sport e në art. Për një shtet të ri, në ndërtim të identitetit të vet, këta janë hapa historikë.

Çdo vit do të ballafaqohemi me sfida e probleme. Urtia është që në ballafaqim me këto sfida të mos dorëzohemi, por të këmbëngulim në vlerat dhe parimet që kemi instaluar si shoqëri, siç janë zgjidhja e problemeve me dialog, duke respektuar rendin kushtetues dhe ligjet, si dhe duke u treguar solidarë në kuptim të asaj që në të mirën e përgjithshme e shohim edhe dobinë tonë personale.

Telegrafi: Edhe këtë vit nuk ka liberalizim të vizave për Kosovën, ndërkaq kjo është premtuar secilin vit. Kur mendoni se qytetarët e vendit do të mund të lëvizin lirshëm?
Thaçi: Kosova është dashur të përmbush shumë më shumë kritere, sesa vendet e tjera të rajonit, në aspiratën për të fituar liberalizimin e vizave. Për këtë kanë punuar të gjithë. Qytetarët e Kosovës e meritojnë të udhëtojnë pa viza në Evropë. Ka mbetur vetëm edhe një kusht: miratimi i demarkacionit në Kuvendin e Kosovës. Duke pasur parasysh se demarkacioni është vërtetuar shumë herë si proces i drejtë dhe i saktë, nuk ka arsye që të vonohet me ratifikimin e tij, që pastaj t’i hapet rrugë vendimit për liberalizim të vizave për Kosovën.

Telegrafi: Kush është përgjegjës për zvarritjen e procesit të liberalizimit të vizave, pala kosovare, BE-ja?
Thaçi: Të gjithë jemi dëshmitarë të zhvillimeve politike në vend dhe në Bashkimin Evropian. Kam folur shumë herë gjatë këtij viti për përgjegjësit e kësaj zvarritjeje të padrejtë në liberalizimin e vizave për qytetarët tanë.

Telegrafi: Cili është komenti juaj për murin në veri të urës së Ibrit? Cili do të jetë fati i tij?
Thaçi: Ai ndërtim në rrugë është krejtësisht ilegal. Nuk është pjesë e asnjë marrëveshjeje zyrtare dhe siç e kemi bërë të qartë deri tani, as që duhet të jetë pjesë e ndonjë diskutimi. Pra, duhet të hiqet sa ma parë dhe të mos bisedohet më për të. E ardhmja e Kosovës, ajo për çfarë punojmë ne sot, është ndërtimi i urave që lidhin popuj, shtete, e jo për mure që ndajnë qytete e popuj. Këtë qëndrim ua kemi bërë të qartë edhe partnerëve ndërkombëtarë të cilët janë pajtuar me qëndrimin tonë.

Telegrafi: A do jetë viti 2017, vit i krijimit të Ushtrisë së Republikës së Kosovës?
Thaçi: Forcat e Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me NATO-n, kanë ngritur nivelin e profesionalizmit dhe janë të gatshme të shndërrohen në Forca të Armatosura të Kosovës. Politika është në kërkim të një konsensusi sa më të madh për të marrë këtë vendim, që Forcat e Armatosura të Kosovës të marrin përkrahjen e të gjitha komuniteteve. Si forcë shumetnike, do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve, të të gjitha komuniteteve.

Telegrafi: Si e vlerësoni politikën e jashtme të Kosovës gjatë vitit 2016? Cilat janë sukseset dhe të metat?
Thaçi: Shteti i Kosovës ka resurse të kufizuara dhe këto resurse shfrytëzohen në mënyrën më racionale që të sjellin dobinë më të madhe. Fokusi i politikës së jashtme, me të drejtë, ka qenë sigurimi i njohjeve apo anëtarësimeve nga të cilat më së shumti do të përfitojnë vetë qytetarët e Kosovës. Anëtarësimi në Konventën e Apostilës apo atë të Arbitrazhit Ndërkombëtar përsëri mund të tingëllojnë më tepër teknike, por kanë implikime shumë praktike për të gjithë qytetarët, sidomos për diasporën tonë.

Telegrafi: Cilat priten të jenë rezultatet konkrete gjatë vitit të ardhshëm, sa i përket njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare?
Thaçi: Çdo vendim për aplikim të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare apo kërkesë për njohje do të bëhet duke u nisur nga interesi dhe dobia e qytetarëve. Si gjithmonë, do të ndërmerret ajo që vlerësohet se do të jetë më së shumti në interes të qytetarëve të Kosovës.

Telegrafi: Si e vlerësoni arsimin në vend? A mendoni që rezultati në PISA-s është gjendja reale?
Thaçi: Gjatë viteve 90, arsimi ka qenë ndër sektorët më të goditur nga regjimi represiv i Millosheviqit. Pas luftës ka qenë e nevojshme që së pari të ngritën kapacitetet teknike, pra të fillohet nga më bazikja, nga ndërtimi i objekteve shkollore. Mësuesit, të gjithë punonjësit e arsimit në Kosovë, kanë bërë punë të madhe, me shumë sakrifica, gjatë tërë këtyre viteve. Tash, pasi kemi përmirësuar dukshëm infrastrukturën teknike, vëmendja duhet të përqendrohet te cilësia e arsimit që jepet në këto shkolla. Testi PISA është kërkuar edhe nga Ministria e Arsimit, për të pasur një pasqyrë se ku ndodhet Kosova, dhe pastaj të identifikohen më lehtë hapat që duhet të ndërmerren për reformimin e sektorit të arsimit në Kosovë.

Telegrafi: Po shëndetësia?
Thaçi: Edhe shëndetësia ka pësuar shumë nga represioni i viteve ‘90. Pas luftës e ka marrë veten dhe sot kemi suksese të arritura, por ka hapësirë të bëhet më shumë në këtë sektor. Ndoshta kushtet teknike nuk janë më të mirat në QKUK, por janë përmirësuar dukshëm, qoftë nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe fal donacioneve të mëdha ndërkombëtare.

Telegrafi: Nëse flasim për ekonominë, a mendoni se ka pasur zhvillime pozitive gjatë këtij viti dhe cili ka qenë roli i presidentit në këtë drejtim?
Thaçi: Ekonomia e Kosovës ka vazhduar të jep shenja të stabilitetit, që e vërtetojnë edhe organizatat ndërkombëtare. Si president kam promovuar produktet e Kosovës, edhe pse këtë promovim e kanë bërë edhe më mirë vetë kompanitë me cilësinë e prodhimeve të tyre, që janë kërkuar menjëherë.

Telegrafi: Ndër problemet e shumta në Kosovë, tanimë ballafaqohemi edhe me luftën kundër terrorizmit? Si e shihni ju këtë problem?
Thaçi: Kosova për fat që keq nuk ka mundur të mbetet imune ndaj fenomenit të terrorizmit. Deri tani kemi qenë të suksesshëm në luftimin e terrorizmit. Kemi parandaluar me sukses sulmin që ishte planifikuar të ndodhte në stadiumin në Shqipëri. Kemi sanksionuar me ligj pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës të cilët do të arrestohen po sa të kthehen në Kosovë dhe do ta vazhdojmë këtë luftë kundër terrorizmit edhe në vitin që po vjen.

Telegrafi: Si e shihni punën e Ekzekutivit gjatë këtij viti?
Thaçi: Skena politike ka qenë shumë e polarizuar gjatë këtij viti. Edhe pse gjithmonë ekziston mundësia të bëhet edhe më shumë, Ekzekutivi ka bërë punë të mirë, por fatkeqësisht për shkak të polarizimeve të mëdha, puna e bërë ka mbetur paksa nën hijen e debateve politike. Uroj që në 2017-ën të merremi më shumë me punë dhe të debatojmë për të mirën e qytetarëve dhe jo të merrmi me debate përçarëse prej të cilave nuk përfiton askush, madje as vetë politikanët. /Telegrafi/