Raportet e ndërkombëtarëve mbi drogën në Shqipëri kanë pasur si qëllim presionin politik, qëndrim i cili ka ndikuar dhe në zëvendësimin e ministrit të Brendshëm. Këtë qëndrim ka ish-shefi i SHISH, Fatos Klosi, i cili shton se, se nëse ndryshimi do të ishte për drejtimin e fushatës në Tiranë, Saimir Tahiri mund ta bënte më mirë duke drejtuar dhe Rendin.

“Unë e di vërtetë se ka pasur një presion nga jashtë për këtë punë. Bota bën politikë. Deklaratat bëhen për politikë, po të mos bëheshin për politikë i thuheshin direkt qeverisë, bëj kujdes në këtë pikë. Por përderisa deklaratat bëhen publike bëhen për politikë, bëhen që qeveria të nxjerrë mësime, të trembet nga ato që ata i treguan popullit në mënyrë që herën tjetër para popullit qeveria të jetë në një situatë më të mirë”, tha ai.

Klosi shprehet në një intervistë për Gazetën “Shekulli” se ka të dhëna që njerëzit kanë marrë edhe kredi për të kultivuar kanabis. Përsa i përket koalicionit të majtë, Klosi shton se baza e PS dhe LSI tashmë po zien.

Pothuajse çdo ditë kemi raportime për kapje të ngarkesave me kanabis në vend. Edhe organizmat e huaja duket se janë alarmuar, siç dëshmohet nga të dhënat që ata përcjellin. Si e shihni ju këtë situatë?

Në 2016 u mboll shumë kanabis. Njerëz që jetojnë në zonat rurale më kanë thënë që vjet është mbjell më shumë se asnjë herë tjetër. Biznesi i kanabisit ka qenë shumë shpresëdhënës për ata që investuan, por di të them edhe këtë, që shumica prej tyre kanë mbetur shumë keq, madje kanë arritur të marrin kredi për të mbjellë kanabis dhe tani nuk arrijnë të lajnë kredinë e marrë. Është fakt që është mbjellë shumë, por është dhe fakt që është shkatërruar shumë. Unë them që policia ka bërë punë të madhe për ta shkatërruar kanabisin, natyrisht e vonuar pak, sepse e la për fazën e fundit, u shkatërruan parcela të cilat ishin duke u vjelur, janë kapur në magazina ku po thaheshin, janë kapur edhe rrugës për transport. Por edhe nuk ia ka dalë dot. Ka qenë aq masive mbjellja saqë edhe ka lëvizur, por ka edhe shumë nëpër magazinat e tyre që akoma ka mbetur. Çmimi ka rënë shumë. Unë shpresoj që kjo punë, që u bë sivjet ndoshta do të reflektohet në vitin 2017. Nëse policia do të bëjë atë punë që ka nisur, do të fillojë të gjurmojë që në mbjellje, rezultati do të jetë pozitiv. Ndërkohë që shpresoj shumë që edhe eksperienca, në një farë mënyre e dështuar e atyre që kanë mbjellë, e fshatarëve që kanë pasur më shumë guxim se të tjerët dhe tani janë zhgënjyer, t’u shërbejë. Ata janë të zhgënjyer dhe besoj se këtë radhë nuk do të quajnë një aktivitet aq fitimprurës. Ai aktivitet u ka dalë mirë trafikantëve sepse është ulur çmimi, e kanë blerë më lirë këtu dhe e kanë shitur më çmim më të shtrenjtë por jo njerëzve që kanë mbjellë.

E shini të rastësishme mbjelljen e parcelave të shumta me kanabis në vend?

Këtë nuk di të them. Unë nuk kam kaq shumë informacion, unë di çfarë thotë media. Kam dëgjuar për mbjelljen, por cili ka qenë motivi që i ka shtyrë që ata të mbjellin kaq shumë, të hapin toka të reja, të shkojnë njerëz nga Tirana, edhe nga Lazarati, nëpër fshatra që nuk kanë të bëjnë fare, vetëm shkojnë dhe hapin parcela me armë kundra fshatit, kanë ndodhur çudira vitin e shkuar. Sa i përket punës së policisë, besoj se ka qenë aq e angazhuar sa duhet. E rëndësishme është që këta që mbjellin ta kuptojnë se shteti është i vendosur. Nëse u dha një mesazh, dhe mua mu duk se u dha, ka pasur policë të korruptuar, disa u arrestuan. Policët vërtetë u janë bindur urdhrave që kanë pasur por ndonjëherë nuk janë bindur se kanë përfituar, ka policisë të korruptuar sa të duash, por shpresoj që laku po ngushtohet.

Ka pasur një raport italo-gjerman të disa muajve më parë që përmendnin me emër dhe mbiemër shefa policie që po mbronin parcelat me kanabis. Dy ditët e fundit kanë dalë dy raporte të tjera që flisnin për shifra alarmante për kanabisin në vend, duke e konsideruar Shqipërinë vend burim dhe vend transit për drogërat e forta.

Nëse janë thënë me emër dhe mbiemër unë besoj që SHKB-ja ato raporte i ka lexuar dhe do të ketë marrë masa përkatëse. Kush janë masat përkatëse? Bëj kujdes, nuk është kjo zgjidhja. Nëse nuk ka pasur asgjë nuk i kushton ministrit të Brendshëm të arrestojë një polic ose një tjetër. Problemi është se, dhe për këtë jam i sigurt se kam qenë në shërbim, se bota presionin e bën më të madh sesa është në mënyrë që me të vërtetë të ndikojë. Nuk i kushton kurrkujt të thotë 2 mijë plantacione me kanabis. Këto deklarata janë dhe politike. Kur e sheh një polic se nuk po ia del, që mbase krijohet ideja që shteti nuk është aq i vendosur që ta luftojë, një deklaratë e tillë e tyre bën punë por nuk do të thotë që ajo deklaratë përfaqëson një realitet. Në përgjithësi janë të ekzagjeruara se nuk ke ç’bën tjetër. Bëhet politikë me këtë gjëra, nuk është se ai lëshon vetëm një fakt dhe e heq nga vetja. Jo! Ai ka vendosur që nëpërmjet kësaj deklarate të ndikojë. Për të ndikuar natyrisht do ta bësh pak problematike, pavarësisht se në Shqipëri lufta politike është aq e fortë sa këto deklarata i rrit një herë ai numrin, e merr pastaj Lul Basha dhe e shumëzon edhe me 3-4 dhe me mikrofon tek goja fillon e tha ky, e tha ai. Pra, po bëhet një propagandë e fortë politike duke shfrytëzuar këto deklarata të botës që unë i quaj të drejta për qëllimin për të cilat bëhen. Nuk e bëjnë që të diskreditojnë kryeministrin e vendit por e bëjnë që të mobilizojnë.

Si e shpjegoni faktin që vetëm disa ditë pas shkarkimit të Tahirit nga ministër i Brendshëm publikohen dy raporte nga EUROPOL dhe DASH për gjendjen alarmante të kanabisit në vend?

Unë e di vërtetë se ka pasur një presion nga jashtë për këtë punë. Bota bën politikë. Deklaratat bëhen për politikë, po të mos bëheshin për politikë i thuheshin direkt qeverisë, bëj kujdes në këtë pikë. Por përderisa deklaratat bëhen publike bëhen për politikë, bëhen që qeveria të nxjerrë mësime, të trembet nga ato që ata i treguan popullit në mënyrë që herën tjetër para popullit qeveria të jetë në një situatë më të mirë. Pastaj pastrimi i parave që theksohet në raport është përgjegjësi kryesisht e Ministrisë së Financave. Kështu që nuk e quaj që pastrimi i parave hyn në motivet që çuan në lirimin e ministrit të Brendshëm. Kjo e kanabisit është problem që i takon policë për ta luftuar.

Ju mendoni se ka pasur presion nga shtet e huaja ndaj kryeministrit Rama për shkarkimin e Tahirit?

Unë nuk e di sepse këtë nuk e ka thënë kush. Nuk kam asnjë të dhënë dhe nuk e kam si ta mendoj por e besoj se mund të ketë pasur gjëra të tilla. E thashë, bota bën politikë me deklaratat, edhe në bisedime bëhet politikë. Bota do të arrijë qëllimin e saj, nuk do që t’i shkojë kanabis në vendet e tyre. Edhe bota ka përgjegjësi, kanabisi vërtetët prodhohet këtu, por shpërndahet andej. Nuk çuditem me botën problemi është i komentit politik që i ngarkohet problemit. Rama tha që më duhet Tahiri që të bëjë fushatën në Tiranë. Ai është vërtetë shefi i Tiranës. Unë e kam bërë një deklaratë timen se u çudia me shkarkimin e Tahirit, se e kam dëgjuar Ramën ta mburrë, ta mburrë dhe papritur tha se më duhet për Tiranën. Kjo nuk më duket aq bindëse.

Çfarë nuk ju duk bindëse në argumentet e Ramës?

Kur bëhet produktiv një njëri ta çosh të drejtojë një fushatë? Atëherë kur ai është i rëndësishëm. Ndryshe është kur kryetari i Tiranës është ministër i Brendshëm dhe shkon atje edhe me pushtetin që i jep ministri i Brendshëm dhe ndryshe është kur paraqitet një njëri. Njerëzit duan një farë garancie sepse fushatat nxjerrin mbi ujë lloj-lloj premtimesh. Është ndryshe kur të flet një njëri që është ministër dhe është ndryshe kur të flet një njeri dhe bën propagandë të pastër. Në këtë kuptim mendoj se ka një vlerësim që nuk më bind.

Po sa i përket lëvizjeve të ministrave të tjerë çfarë vlerësimi keni?

Unë u çudia edhe me Klosin. Më dukej që Klosi ishte në një kurbë ngjitëse të personalitetit të vetë politik. Di që mbas largimit të kryetarit të sotëm të bashkisë, Klosi bëri vërtetë shumë punë atje. Unë e quaj një ministër i suksesshëm për aq kohë sa i drejtoi ministrinë dhe më habiti largimi i tij edhe për faktin se ai është caktuar si shef në një qark që është relativisht i vogël dhe kontributi i tij do të jetë një deputet më shumë, një deputet më pak, ndaj nuk më bind.

Një koment për situatën politike në vend. Është opozita që paralajmëron se nuk do të futet në zgjedhje dhe nga ana tjetër kryeministri Rama që duket se nuk do i përgjigjet kërkesës së PD për qeveri teknike. A është ky paralajmërim për një kaos?

Nuk shoh situatë të tillë. U bë kaos në ’97, njerëzit të zhgënjyer nga 5 vjet qeverisje shpresuan që do e ndjenin vetën shumë më mirë se çfarë kaluan në ato 5 vjet. U mblodhën shumë shpresa bashkë dhe papritur u rrëzuan dhe pastaj filloi ajo që ndodhi, që Berisha kur u bind që populli nuk e besonte më, u bën zgjedhje. Opozita po bën lojën e vet, nuk mund ta kritikoj. Opozita ka për detyrë të bëjë gjithçka që është legale që ajo të vijë në pushtet. Këtu problemi është pozita. Ata po bëjnë marketing. Problemi është ky marketing jep rezultat, ua blen njeri mallin që kanë apo jo. Është pozita ajo që do e dëgjojë apo jo! Unë do i shtrëngojë dorën Edi Ramës nëse ai do të vazhdojë të jetë indiferent ndaj çadrës. Opozita po bën lojën e saj, ajo do ngrejë në qiell idenë se zgjedhjet janë të prishura pa filluar, janë të blera me paratë e kanabisit e të tilla qëndrime. Ato qëndrojnë nëse i ecën. Basha nuk ka argumente, ai po luan. Kjo është një lojë nervash, kush dorëzohet i pari. Ai thotë unë nuk marrë pjesë në zgjedhje. Në asnjë ligj të shtetit nuk është shkruar që partitë duhet të marrin pjesë.

Një pyetje të fundit për gjendjen në koalicionin e majtë, PS dhe LSI. A shihni mundësi për bashkëpunim edhe për 4 vitet e ardhshme?

Është një koalicion që sipas meje formalisht ka funksionuar, qeveria ka pasur një program, ministrat janë përpjekur ta zbatojnë atë program por që ka konflikte kjo ndihet, ndihet më shumë në bazë se sa në shtyp. Ato që ndodhin lartë unë nuk i quaj ndonjë gjë të madhe sepse ato, edhe nëse shtyhet ndonjëherë Vasili të thotë ca gjëra gjoja të forta, e merr Iliri dhe mbyllet ajo punë. Ato sipër janë lojë nervash. Nuk e rrezikon loja e nervave koalicionin, mat impulsin. Problemi është tek baza. Baza është e acaruar, situata midis socialistëve dhe atyre të LSI. Në këto kushte për të dy partitë do të ishte mirë që të dilnin së bashku dhe të deklaronin që ne kemi pasur ca probleme gjatë kësaj regjistrature, por eksperienca e fituar na ka bindur që ne duhet të jemi më të kujdesshëm në të gjitha deklarimet që bëjmë.