Korrupsioni prek pjesë të ndryshme të administratës publike në Kosovë, por më e ndjeshmja është ajo e prokurimit publik. Kjo, për shkak se shpenzohet një shumë e madhe e buxhetit të Kosovës përmes aktiviteteve të ndryshme të prokurimit publik.

Kështu ka thënë Rita Ismajli, përfaqësuese e organizatës “Demokracia Plus”, gjatë emisionit “Përballje”, ku u diskutua tema “Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Sipas saj, problemi kryesor është se tenderët ju jepen gjithmonë kompanive të njëjta nga ana e qeverisë së Kosovës.

“Tenderët ju jepen gjithmonë disa kompanive të njëjta. Është një top dhjetëshe e atyre të cilët marrin tender nga qeveria e Kosovës. Kjo shihet si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror. Në një raport të publikuar vitin e kaluar kemi parë që ministritë të cilat marrin pjesë më shumë në korrupsion janë ministria e Infrastrukturës, Shëndetësisë…, të cilat kanë buxhet më të madh”, ka thënë Ismajli.

Mirëpo, shtoi ajo, nuk është se nuk janë parë praktika të mira drejt luftimit të korrupsionit në Kosovë sa i përket prokurimit publik.

Ismajli, ka potencuar se sa më shumë të diskutohet për këtë temë është më mirë, sepse bëhet presion dhe krijohet më shumë transparencë në shfaqjen e dokumenteve të ndryshme, sidomos ato të prokurimit publik.

Ajo foli edhe për sistemin e gjyqësisë si kusht të dytë për liberalizimin e vizave, duke thënë se ata të cilët bëjnë shkelje duhet të penalizohen.

“ Kriteri i dytë për liberalizimin e vizave fokusohet në përgjithësi në sistemin e gjyqësisë… Paratë është shumë e rëndësishme të shkojnë drejt të mirës së qytetarit dhe jo drejt mbushjes së xhepave të politikanëve… Me rëndësi është që zyrtarët të identifikojnë ata të cilët bëjnë këto shkelje, por edhe të penalizohen nëse është nevoja”, sqaroi Ismajli.