Vendimi i Presidentit Gjorge Ivanov për mos tu takuar me euro komisarin Johanes Hahn nënkupton keqpërdorim të institucionit President dhe mungesë të kulturës institucionale, konsideron akademiku Abdylmenaf Bexheti. Ndonëse ishte paraparë që në vazhdën e takimeve komisari Hahn të zhvilloj takim edhe me presidentin e Ivanov, një gjë e tillë nuk u bë. Hahn për injorimin nga ana e presidentit Ivanov nuk u prononcua, ndërsa nga kabineti i këtij të fundit informuan se presidenti ndodhet për vizitë jashtë vendit dhe se kohën e paraparë për takim ia lë protestuesve të iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”.

Kjo nuk është vetëm mungesë e kulturës elementare personale, por është edhe keqpërdorim i institucionit dhe mungesë e kulturës institucionale. Në këtë funksion, komisari për zgjerim t’ju vij në shtëpi dhe të jetë i papërshtatshëm për ta takuar është thjeshtë një mungesë e kulturës institucionale që ai i ashtuquajtur president e posedon – deklaroi Abdylmenaf Bexheti, Akademik.

Ndërsa sa i përket vendimit të Presidentit që kohën e paraparë me komisionarin Han t’i lë në dispozicion protestueseve , akademiku Bexheti thotë se Ivanov vepron me standarde të dyfishta. Këtë sipas tij e dëshmon fakti se nga protestuesit e Revolucionit laraman kërkonte që problemet t’i zgjidhin në institucione ndërsa tani i kërkon ndërkombëtarëve të takohen me protestuesit.

Ajo tregon dhe vërteton edhe njëherë mos seriozitetin e tij dhe standardet e shumëfishta. Nuk janë standarde të dyfishta sepse ai ka në situata të ndryshme sjellje krejtësisht të ndryshme dhe në këtë funksion e dimë se çfarë qëndrimi kishte ndaj protestave laramane dhe çfarë qëndrimi ka tani -tha Abdylmenaf Bexheti, Akademik.
Se Ivanov ishte kundër protestave në rrugë dëshmon një deklaratë e tij e para një viti kur doli kundër protestave të revolucionit shumëngjyrësh.

Për atë kemi Kushtetutë, ligje dhe institucione që gjithçka të zgjidhet në korniza të tyre. Pse rrugën? Kjo do të thotë se Kushtetuta nuk ekziston? Institucionet nuk ekzistojnë? Çdokush mund të dorëzojë akt, iniciativë, çdokush mund të ngrit çfarëdo në këtë shtet. Pse shfrytëzohet rruga – deklaroi kohë më parë Gjorge Ivanov, President.
Për dallim nga para një viti tani presidenti thotë se protestat e organizatës “Për Maqedoni të përbashkët” janë të ligjshme meqë sipas tij mbrojnë karakterin unitar të shtetit.