Kriza paszgjedhore në Maqedoni përshkallëzohet edhe më tej. Presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov, ashtu siç paralajmëruan disa zëra në Shkup dhe jashtë tij, refuzoi t’i japë mandatimin kreut të LSDM-së, Zoran Zaev.

Ivanov doli para mediave në një konferencë për shtyp rreth orës 16:30, ku bëri publik vendimin e tij.

“As Kushtetuta dhe as vetëdija ime nuk më lejojnë që të jap mandatimin për dikë që minon pavarësinë dhe sovranitetin e Maqedonisë”, tha ai.

Ai u ndal tek platforma e partive shqiptare, duke akuzuar sërish se kjo platformë është përgatitur nga një vend tjetër.

“Platforma e nxitur nga një shtet i huaj është një pengesë për mua që të mandatoj kreun e LSDM-së Zoran Zaev”, tha Ivanov.

Pas këtij vendimi të Presidentit maqedonas, vendi me gjasa do t’u drejtohet sërish kutive të votimit.

Fjalimi i plotë i Presidentit Ivanov që i tha JO mandatit për Zaevin

Ivanov deklaroi se nuk do ia jap mandatin Zoran Zaevit për shkak se ai ka pranuar platformën shqiptare, e cila sipas Ivanovit cenon sovranitetin e vendit. Gjatë paraqitjes para opinionit Ivanov tha se ka kërkuar nga Zaevi që ta hedh poshtë platformën e hartuar nga jashtë. Ivanov gjithashtu kërkoi nga Bashkësia Ndërkombëtare ta dënojë platformën dhe të mos imponojë zgjidhje. Sipas ivanovit çdo vendim i gabueshëm mundet të ketë pasoja për vendin. Ivanov në fund shtoi se për aq kohë sa ai do të jetë president nuk do i jap askujt mandatin përderisa cenohet sovraniteti, integriteti dhe pavarësia e shtetit.

Dëshiroj t’ju bind Ju qytetarëve, të jeni të qetë sepse gjithnjë derisa unë të jem President i Republikës së Maqedonisë nuk do t’i jap mandatin asnjë njeriu dhe asnjë partie politike, që angazhohet apo që në programin e saj ka një platformë e cila rrënon sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë. Thellë besoj se këto janë vlerat bazë me të cilat askush nuk ka të drejtë të tregtojë dhe nuk mendoj të heq dorë nga to – tha Ivanov.

Pas zgjedhjeve ishim të befasuar nga një Platformë politike nga një vend i huaj. Platforma është dokument pas-zgjedhor i përpunuar dhe firmosur në një vend të huaj në kabinetin e një funksionari të jashtëm dhe me ndërmjetësim të Kryeministrit të një vendi tjetër. Përmbajtja e platformës është edhe jashtë Kushtetutës dhe jashtë Marrëveshjes së Ohrit. Me këtë Platformë rrezikohet sovraniteti dhe pavarësia e shtetit duke e vënë kështu shtetin në pozitë që të jetë i varur nga një shtet tjetër. Me këtë Platformë republika e Maqedonisë është e kushtëzuar derisa sovraniteti dhe pavarësia e saj janë të rrezikuara – shtoi Ivanov, sipas të cilit procesi i koalicionimit pas-zgjedhor dhe formimi i qeverisë së re u bë peng i kësaj Platforme pas-zgjedhore të një shteti të huaj.

Në vend që definitivisht të dilnim nga kriza politike, për shkak të kësaj platforme ne për fat të keq po futemi në një krizë edhe më të thellë e cila vë në pikëpyetje themelet shtetërore të Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj – deklaroi presidenti i shtetit Gjorge Ivanov.