Liderët e partive shqiptare BDI dhe PDSH, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, natën e 11 dhjetorit u munduan të fshehin humbjen e dhjetëra mijëra votave me retorikë brengosëse për humbjen e deputetëve shqiptarë. Por sot, me votat e përfaqësuesve të tyre në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, ata morën mandatin e të paktën një deputeti shqiptar, duke ia dhuruar VMRO DPMNE-së. Ahmeti thoshte se ka pritur me hidhërim lajmin për uljen e numrit të deputetëve shqiptarë.

“Me hidhërim e them, që shqiptarët kanë humbur mandate. Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar zgjedhjet. Por, mua më ka interesuar që të fitojnë shqiptarët në radhë të parë. Dhe nuk më gëzon fitorja e BDI-së”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Por sa i intereson Ahmetit dhe BDI-së për numrin e mandateve shqiptare, u pa sot në KSHZ.

Nga ana tjetër, lideri i PDSH-së Menduh Thaçi të dielën në mbrëmje defokusoi vëmendjen e opinionit nga humbja e partisë së tij duke u radhitur si parti e katërt në bllokun shqiptar, me deklaratën se do t’ia lërë deputetët e tij në dispozicion Lëvizjes Besa.

“Vota, mbështetja politike dhe deputetët tonë që i kemi fituar do të jenë komplet në mbështetje të politikës dhe partisë Lëvizja BESA dhe RDK-së”, pati deklaruar Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Megjithatë, Thaçi nuk ishte aq zemërgjerë për deputetët e VMRO DPMNE-së.

Me votat kundër të Subhi Jakupit dhe Bedredin Ibrahimit në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, BDI dhe PDSH votuan kundër të paktën një mandati shqiptar, në zonën e dytë zgjedhore, ndërsa i mundësuan VMRO DPMNE-së të ruaj mandatin e saj nga rezultatet fillestare. Në këto zgjedhje, partitë shqiptare kanë fituar vetëm 20 mandate deputetësh, ose 7 më pak se zgjedhjet e kaluara.