Helidon Bendo është shefi i ri që do të drejtojë SHISH-in, pas dorëheqjes së Visho Ajazit.

Ai ka një eksperiencë 21-vjeçare në SHISH. Emri i Bendos u propozua nga ana e kryeministrit, ndërsa u miratua nga Presidenti Ilir Meta pas një takimi 30 minutësh në presidencë.

Helidon Bendo ishte emëruar si Zëvendësdrejtor i SHISH në 22 Prill të vitit 2016. Përpara kësaj detyre, prej 7 vitesh ai ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Drejtorisë në Aparatin Qendror (AQ) të SHISH.

Në këtë institucion (SHISH) ai ka mbajtur detyra të ndryshme si: Inspektor terreni, Kryetar Dege, Drejtor Drejtorie në disa Qarqe të vendit dhe Drejtor Drejtorie në AQ.

Bendo ka lindur më datën 12 Maj 1971 në qytetin e Korçës. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë. Diplomuar në vitin 1993 për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ka një master në studime për sigurinë, si edhe një trajnim tre-mujor në fushën e sigurisë pranë Universitet George Toën në SHBA.

Gjithashtu, Bendo ka kryer edhe një sërë trajnimesh mbi çështje të sigurisë brenda e jashtë vendit. Ai flet gjuhët anglisht e greqisht. Z.Bendo i pëlqen të lexojë, peshkojë, udhëtoje dhe të kalojë kohë me familjen e tij. Në formularin e vetëdeklarimit rezulton se Bendo ka emigruar disa herë në Greqi në vitet 1991-1993 mes periudhave të verës./konica.al