Këshilli i Prokurorëve Publik miratoi Raportin e katërt gjashtëmujor të punës së Prokurorisë Speciale Publike. Specialja ka pranuar disa vërejtje në lidhje me raportin, por të njëjtat nuk i bëri të ditura as prokurorja speciale Katica Janeva dhe as kryetari i Këshillit të Prokurorëve Kolo Shterijov. Dy organet kanë zgjidhur çështjen e procedurave para hetimore, numri i të cilave arrin në 90 edhe pas skadimit të mandatit të Speciales për të ngritur aktakuza të reja. Pavarësisht rrethanave, ekipi i Katica Janevas do të vazhdoj të hap hetime të reja.

“Ne edhe më tej punojmë për procedura para hetimore dhe do të hapim hetime në periudhën e ardhshme. Do të analizojmë dokumente të shumta për procedura të mëparshme para hetimore dhe ato të reja. Në lidhje me atë nëse do të procedojmë akuza të reja, shpresoj se deri atëherë do të ndodhin disa ndryshime ligjore në favor të PSP-së, e në qoftë se nuk ndodhin, Këshilli i Prokurorëve bashkë me institucionet tjera do të njoftohen në kohë për veprimet tona” tha Katica Janeva, Prokurore Speciale.
Janeva nuk u përgjigj nëse në mesin e 90 procedurave para hetimore të cilat janë në vijim e sipër ndodhet edhe rasti “Monstra”.

Raportin e njëjtë Specialja do ta dërgojë edhe në Kuvend. Janeva pret nga deputetët që të jenë, siç thotë ajo “të kulturuar” gjatë kohës kur debatohet për raportin. Paraprakisht, Këshilli i Prokurorëve miratoi edhe raportin e dytë dhe të tretë të punës gjashtëmujore të PSP-së, raporte këto të cilat ishin shqyrtuar në kohën kur me Këshillin udhëhiqte Petar Anevski, por nuk ishin miratuar.