Kur flitet për çështjen kombëtare , për një detyrim Kushtetues siç mund ta quajnë apo konsiderojnë ata më të ftohtit , është e pamundur të pranohen rrugët e dyfishta, gjysëm fjalitë e aq më pak përdorimet e ndyra politike. Kjo e fundit është pjesa më e shumtuar e të gjithë kësaj historie të përlyer me interesa të momentit, që nuk janë as më pak e as më shumë sesa një tregëtim modern e duarfshehur I interesave kombëtare.

Nuk ndodh në asnjë vënd të botës që mediat qofshin këto opozitare apo jo të publikojnë apo trumbetojnë dështime të rreme qofshin këto edhe kundrejt një kundërshtari politik. E kjo sepse çeshtje të caktuara shkojnë përtej një partie, një shumice, një kryeministri, janë elementë që duhet të përbashkojnë e jo të ndajnë. .

Thirrja në Tiranë e krerëve të politikës shqiptare në Iliridë duhet të konsiderohet një hap pozitiv, jo sepse ata ju përgjigjën apo jo thirrjes, jo sepse ata pranuan apo jo ndonjë draft të propozuar, por sepse më në fund Shqipëria merr përsipër rolin që I takon si vëndi amë. E pra këtë Tirana zyrtare duhet ta kishte bërë kohë më parë, duke shërbyer si një drejtuese e jo përçarëse e elementit politik shqiptar . Këtë bën çdo vënd normal në botë që politikën e jashtme nuk e lidh me shumicat qeverisëse.

Si mundet të kundërshtohet një lëvizje që duhet të shkojë përtej ngjyrave, përtej pushtetit …aq më tepër në një moment të tillë kur qëndrimi i tyre mund të kushtëzojë qeverisjen duke u garantuar shqiptarëve më në fund një pozicion të denjë e vendimmarrës. Ky ishte edhe mesazhi i qartë që ata dhanë në këto zgjedhje. Janë të lodhur nga paragjykimi, shtytja, diskriminimi. Ata duan të jenë të barabartë e të shihen qartë e prerë si një popullësi shtet-formuese.

Nëse shkon sot ne komunitetet shqiptare kudo nëpër botë gjen ende frymën përçarëse që është kërkuar te imponohet në emër të pushtetit të momentit. Nuk ka vënd ku shumica e shoqatave, komuniteteve, grupimeve, të mos jenë hidhnuar e perçare nga helmi I një politike antikombëtare e të prirur tek kontrrollimi I tyre në distancë.

 

metaa_1Shqiptarët ne Iliridë janë sot në këtë gjëndje sepse askush nuk ka dashur t’ja dijë për ta, askush nuk I ka thirrur më parë krerët e politikës në përpjekje për te unifikuar qëndrimet e tyre, jo në interes personal , por të SHQIPTARËVE.

Ndaj thirrja e krerëve shqiptarë nga Tirana zyrtare, duhet konsideruar pozitive, jo një, jo dy, por çdo javë , si detyrim i këtij shteti , pavarësisht kryeministrit që është në krye.

Nuk mund të ketë një rast të dytë si në Shqipëri ku segmente të caktuara politike apo mediatike të rrjepura, te shitura e të blera si rroba tregu sulmojnë lëvizje të tilla, fërkojnë duart nëse ato dështojnë.

Pra sipas tyre është më mirë përçarja e shqiptarëve, shkalafitja e derisotme, shkelja e të drejtave të tyre sesa kërkesa dhe dëshira për t’ju unifikuar qëndrimet. Bile këtë sanksionim edhe në kushtetutë këta e quajnë protagonizëm, sepse për ta gjithçka nis e mbaron tek ky element, e kjo vlen edhe për çeshtjen kombëtare. Per ta akuzat politike, replikat, dështimet qofshin këto edhe me kosto për vëndin kanë vlerë më shumë se gjithçka, sepse për ta egziston vetëm pushteti. Asgjë tjetër.

Pse duhet të kërkojmë përgjegjësi tek të tjerët kur një frymë të tillë e kemi të kultivuar në tokën tonë.

marin-mema-copy

A mund të mendojnë për çeshtjen kombëtare ata që shesin gjithçka përfshirë edhe veten… Këtë mund të bëjnë vetëm mëndje të sëmura, që ballë karriges nuk vënë asgjë, që janë të gatshëm të djegin, masakrojnë, çajnë, përçajnë, sfilisin gjithçka veç për qëllimet e tyre.

Çeshtja kombëtare nuk varet as nga dëshira e Ali Ahmetit, as nga ajo e të tërhequrit Menduh Thaçi, ajo varet nga shqiptarët, që sot sigurisht do të kishin një pozicion më të mirë nëse Tirana zyrtare nuk do të ishte hargalisur për një kohë të gjatë si çingije e rëndomte nëpër prehra të ndryshëm.

E pra këta politikanë në Shqipëri I kanë shitur e blerë shqiptarët, ashtu siç kanë shitur e blerë interesat e tyre në Ohër, Manastir, Shkup, Gostivar, Dibër të madhe , Plavë e Guci, Tuz, Ulqin, Luginë, ashtu siç shitën detin, e heshtnin për çeshtjen Çame e ashtu siç janë të gatshëm të shesin edhe veten për pak pushtet më shumë…

Autor: Marin Mema


* Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim paraqesin mendimet dhe të drejtat e autorit, nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë së Manastiri Lajm.