Administrata e re e presidentit amerikan Donald Tramp mbetet e përkushtuar ndaj Evropës dhe vazhdimit të marrëdhënieve të mira me Maqedoninë. Porosi të tillë ka marrë ministri i Mbrojtjes të Maqedonisë Zoran Jolevski, i cili në SHBA u takua me përfaqësues nga ekipi për tranzicion të presidentit Tramp.

“Kjo është një pjesë e konsultimeve permanente që i kemi me administratën amerikane. Me rëndësi është që bisedova me persona të cilët janë në ekipin e tranzicionit të presidentit Tramp dhe ata na bindën se Amerika mbetet e përkushtuar ndaj Evropës, rajonit dhe Republikës së Maqedonisë”, thotë Jolevski në deklaratën për Radiotelevizionin e Maqedonisë.

 

Ai në SHBA mori pjesë në Forumin e sigurisë për terrorizmin global dhe kërcënimet kibernetike që e organizoi Senati i SHBA-së, ndërsa në të cilin nikoqir ishte senatori, Xhim Inhof.

 

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se Jolevski ka realizuar më shumë takime me përfaqësues të Pentagonit, Departamentit të Shtetit, Senatit,. Kongresit dhe Tink-Tenk institucionet.

 

Gjatë fjalimit në forum, Jolevski ka theksuar se Ballkani i përket rajonit euroatlantik dhe se siguria e tij është e pandashme nga siguria e Evropës. Ai, gjithashtu, ka theksuar nevojën nga intensifikimi i bashkëpunimit të strukturave të sigurisë në Evropë me qëllim të ballafaqimit më efikas me sfidat aktuale dhe të ardhshme.

 

Në kontekst të kësaj ka shtuar se nevojitet të ndërmerren hapa strategjik duke pasur parasysh situatën aktuale gjeopolitike në botë, Evropë dhe Ballkan.

Në forum senatorët dhe kongresmenët, siç informon Ministria e Mbrojtjes, kanë theksuar se SHBA-ja mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin me Evropën, e cila është partner strategjik në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimeve kibernetike.