Reformat tani duhet të vazhdojnë me vendosmëri me përgjegjshmëri të përbashkët të të gjithë institucioneve, është shprehur presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker në takimin me presidentin Ilir Meta.

Gjatë këtij takimi mësohet që Juncker ti jetë shprehur Metës se pret që vendi të jetë një stabilizues në rajon.

“Hapa të rëndësishëm janë bërë nga Shqipëria, por reformat duhet të vazhdojnë me vendosmëri. Progresi drejt BE mbetet në bazë të meritës, reformave të shpejta që mund të arrihen. Përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve. Pres që vendi juaj të jetë një stabilizues në rajon”, ka thënë Juncker.

Presidenti Meta ndau të njëjtën bindje mbi rëndësinë që ka forcimi i rolit stabilizues të Shqipërisë në rajon. Ai siguroi se mbetet konseguent në rolin e tij konstruktiv dhe të dobishëm për përparimin e marrëdhënieve dypalëshe me të gjitha vendet e rajonit, duke nënvizuar rëndësinë që ka frenimi dhe dekurajimi i politikave populiste në dëm të proceseve integruese dhe atyre të paqes në Ballkanin Perëndimor.

Meta nga ana e tij, duke theksuar rëndësinë që ka zbatimi i reformave në 5 prioritetet kyçe, vlerësoi se rezultatet janë ato që do të rrisin besueshmërinë si tek qytetarët shqiptarë ashtu edhe tek vendet anëtare të BE-së.

Duke u ndalur tek zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Presidenti Meta, inkurajoi heqjen sa më parë të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, me besimin se Marrëveshja për Demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi do të përmbyllet së shpejti me sukses./Top Channel