Kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ishte i ftuar në Top Show, ku foli për transformimin pozitiv dhe arritjet e bëra nga shteti i ri i Kosovës, demarkacionin me Malin e Zi dhe asociacionin e komunave serbe.

“Ne kemi vetëm 9 vite shtet dhe kemi bërë shumë hapa të rëndësishëm para, në drejtim të funksionimit normal të një shteti. Krahasuar me Shqipërinë dhe Maqedoninë, të cilat kanë shumë vite që funksionojnë si shtete, ne jemi në rrugën e duhur dhe madje në disa aspekte jemi shumë më mirë sesa ato. Kemi krijuar kushtet optimale për të garantuar nëj rritje ekonomike të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, duke shfrytëzuar maksimalisht resurset tona. Kosova ka edhe shumë lehtësira tatimore, të cilat japin garanci edhe për rritjen e investimeve të huaja në vend”, u shpreh Kadri Veseli.

Veseli nuk ishte dakord me cilësimin e Kosovës si shtet të dështuar, duke këmbëngulur se Kosova është një shtet, histori suksesi.

“Në 9 vite kemi investuar shumë në drejtim të infrastrukturës, duke ndërtuar dy autostrada shumë moderne, të financuara vetëm nga buxheti i shtetit dhe në 3 vite do të jemi shteti me infrastrukturë më të mirë”, tha ai.

Ai tha se Kosova i ka të gjitha mundësitë që të jetë “Zvicra e Ballkanit”, nëse arrin të shfrytëzojë të gjitha resurset e veta dhe se do t’ia dalë ti shfrytëzojë ato.

I pyetur për demarkacionin me Malin e zi, Veseli tha: “Mali i Zi është një ndër shtetet e para që na ka njohur dhe kemi një marrëdhënie pozitive me ata. Ne jemi përcaktuar për të respektuar sovranitetin territorial të fqinjëve tanë, ashtu si kemi bërë edhe me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Kufiri me Malin e Zi është një realitet që duhet pranuar dhe respektuar dhe demarkacioni me ta duhet të kalojë sa më shpejt. Kosovarët duhet ti besojnë institucioneve shtetërore dhe të jenë të bindur që me demarkacionin nuk dëmtohet dhe nuk i merret asnjë metër katror Kosovës”.

Z. Veseli foli gjithashtu edhe për asociacionin e komunave serbe, duke thënë se ky proces nuk do të sjellë bosnjëzim.

“Ne nuk kemi asnjë rrezik nga qytetarët serbë në Kosovë, por vetëm nga Serbia dhe Rusia. Ne duhet të ecim para, me mbështetjen e partnerëve tanë dhe të ngremë sa më shpejt ushtrinë tonë”, tha Veseli.