Ndërtimi i Çerdhes në Kondovë, Saraj ishte një premtim parazgjedhor i Kreut të Komunës së Sarajit, Bekim Murati, i cili kishte premtuar që në mandatin e tij 2013-2017 do të bëjë ndërtimin e çerdhes në Kondovë. Ka kaluar një mandat i plotë që kur është dhënë ky premtim, megjithatë objekti i çerdhes nuk ka arritur të përfundohet plotësitsht. Ky është një premtim i realizuar pjesërisht, shkruan Vërtetëmatësi.

Më poshtë në mënyrë kronologjike do të lexoni si ka shkuar procesi premtimeve dhe mos-realizimit.

Në mandatin e ardhshëm ne presim edhe shumë projekte tjera siç janë ndërtimi i shkollës fillore në vendbanimin Çajlan – Semenisht, ndërtimi i poliklinikës në Saraj, ndërtimi i Çerdhes në Kondovë, ndërtimi i rrugës për në fshatin Radushë. (burimi: Konventa zgjedhore e  BDI-së- Saraj, 16.03.2013)

Bekim Murati fitoi mandatin si kryetar Komune në Saraj, mirëpo premtimi që dha për ndërtimin e çerdhes mbeti në harresë. Edhe pas tri viteve në terren nuk pati ndonjë punë konkrete për ndërtimin e çerdhes  në vendbanimin e Kondovës, edhe pse për banorët e këtij vendi ishte një nevojë e domosdoshme.

Më 27.10.2016, Kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati vazhdoi me premtimin se ideja për ndërtimin e çerdhes ende vazhdon. (TV21, 27.10.2016)

Ndërkaq,  Vërtetmatësi ka kontaktuar disa herë kryetarin e Komunës së Sarajit, Bekim Muratin se a është bërë ndonjë hap rreth përmbushjes së këtij premtimi, ai nuk ka dashur t’ju përgjigjet pyetjeve të parashtruara, duke u arsyetuar se ka punë. Për të siguruar nga afër punimet që janë realizuar deri më tani 05.05.2017, Vërtetmatësi ishte në vendin ku po zhvillohen punimet për ndërtimin e çerdhes. Në bazë të fotografive të siguruara, mund të shihet që objekti i çerdhes në Kondovë ende nuk është përfunduar plotësisht, po punohet në pjesën e brendshme të objekti, ndërsa pjesa e jashtme është e përfunduar.

Foto 1,2,3 Çerdhja në Kondovë (burimi: Vërtetmatësi, 05.05.2017)

Ndërimi i Çerdhes në Kondovë, Saraj ishte një premtim parazgjedhor i Kreut të Komunës së Sarajit, Bekim Murati, i cili kishte premtuar që në mandatin e tij 2013-2017 do të bëjë ndërtimin e çerdhes në Kondovë. Ka kaluar një mandat i plotë që kur është dhënë ky premtim, megjithatë objekti i çerdhes nuk ka arritur të përfundohet plotësisht, prandaj sipas metodologjisë së Vërtetmatësit dhe burimeve të siguruara, këtë premtim mund ta vlerësojmë si i realizuar pjesërisht./Lajm/