Gjashtë persona humbën jetën nga një breshëri të shtënash në një xhami të Quebecut (Kebekut), në Kanada. Tetë të tjerë mbetën të plagosur e po marrin trajtim mjekësor në spital.

Viktimat janë meshkuj të moshave nga 35 deri në 70 vjeç. Policia vazhdon hetimet, por si ajo vet, ashtu edhe drejtues të lartë të vendit, është e qartë se e konsiderojnë episodin e dhunës një akt terrorist.

“E dënojmë me forcë këtë sulm terrorist ndaj myslimanëve në një qendër idhujtarie dhe ngushëllimi”, tha kryeministri Justin Trudeau në një deklaratë për shtyp.

“Myslimanët e Kanadasë janë pjesë e rëndësishme e strukturës sonë kombëtare dhe këto akte të pakuptimta nuk kanë vend në komunitetet, qytetet dhe në shtetin tonë”, vazhdon mesazhi i shefit të ekzekutivit.

Në atë që përshkruhet si sulm i koordinuar, dëshmitarët kanë parë të paktën dy agresorë të veshur me të zeza të hapnin zjarr mbi dhjetëra besimtarët e mbledhur në xhami.

Sipas njoftimeve në mediet vendase, një person është vënë në pranga në vendngjarje, e një tjetër u arrestua aty pranë. Ata janë diku te 27 vjeç e besohet të kenë përdorur për sulmin një kallashnikov. Kanadezët që banojnë në afërsi të xhamisë së mësyrë shprehen të tronditur nga lajmi.

“Nuk kam parë asnjëherë asgjë të dyshimtë. Të gjithë ata shkojnë mirë me vendasit dhe anasjelltas. Nuk kam ndeshur kurrë ndonjë lloj urrejtje apo hasmërie ndaj tyre. Prandaj edhe jam thellësisht i tronditur nga kjo ndodhi”, tha Anthony Kote, banor.

Në faqen e xhamisë në “Facebook” bëhet thirrje për durim. “Prisni derisa të përfundojnë hetimet përpara se të përhapni fjalët. Situata është kritike”, thuhet aty.

Udhëheqësi rajonal Philippe Couillard u shpreh se do t’i kërkojë Asamblesë Kombëtare që flamuri i Quebecut të ulet në gjysmështizë në nder të viktimave. “Le të bashkohemi kundër dhunës”, shkroi ai në “Twitter”. “Jemi solidarë me myslimanët që jetojnë këtu”.

Verën e vitit 2016, përpara portës kryesore të Qendrës Kulturore Islamike të mësyrë të dielën ishte vendosur koka e prerë e një derri.