Bernard Guetta

Nuk është aq e ndërlikuar sa mund të mendohet. Katari, me të cilin Arabia Saudite, vendet e tjera të Gjirit dhe Egjipti më 5 qershor, kanë ndërprerë çdo marrëdhënie, duke e akuzuar për mbështetje të terrorizmit, është një nga shtetet më të vogla arabe, eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe krijuesi e pronari i kanalit të fuqishëm televiziv, Al Jazeera.

Arabia Saudite krenare, shteti udhëheqës i vendeve sunite të rajonit, nuk e toleron pasurinë “e pacipë” e këtij Liliputi, i cili arriti jo vetëm t’i dhurojë vetvetes disa nga “bizhutë” e industrisë botërore dhe të fitojë të drejtën për organizimin e Kupës së Botës 2022, por edhe për të zhvillojë një diplomaci shumë origjinale, krejtësisht të pavarur nga sauditët dhe thellësisht irrituese për regjimet e tjera sunite.

Familja në pushtet Al Thani – praktikisht padronët e Emiratit – vendosi që, e vetmja mënyrë për të siguruar që asgjë nuk do të ndryshonte, ishte që të ndryshonte gjithçka.

Agjentët e ndryshimit

Për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të mos u prekur nga revolucionet që përfshinë Lindjen e Mesme në vitin 2011, ata u bënë agjentë të ndryshimit në Lindjen e Mesme deri në Maghreb, krijuan Al Jazeera duke marrë gazetarë, të cilët nuk mund të punonin në vendet e tjera arabe dhe organizuan, në një ekran, një debat të përhershëm pan-Arab, ku mund të bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre, që nga më të moderuarit, deri tek më radikalët.

Nga pikëpamja kulturore, Katari e ka revolucionarizuar botën arabe, ndërsa nga pikëpamja politike ai është një mbrojtës, që nga revolucionet e vitit 2011, i Vëllazërisë Myslimane, e cila kishte fituar zgjedhjet e para të lira në Egjipt dhe Tunizi. Vëllezërit janë islamistë dhe madje janë ata që, në vitet njëzetë të shekullit që kaloi, krijuan Islamin politik, por ata nuk janë organizatorë atentatesh, ndryshe nga grupi i Shtetit Islamik (IS) dhe Al Kaeda.

Familja Al Thani ka mbështetur Vëllazërinë Myslimane, sepse donte të bënte një parti në pushtet, që nuk do ta çonte revolucionin brenda kufijve të Katarit. Ata donin ta shoqëronin lëvizjen për ta kanalizuar atë më të mirë, por kjo ka ngjallur armiqësinë e monarkive të Gjirit dhe Marshallit Al Sisi, diktatori i ri i Egjiptit, të cilët e konsiderojnë Vëllazërinë Myslimane si një kërcënim që duhet mbytur.

Dhe pastaj është çështja iraniane. Në këtë rast, Al Thani ka përkeqësuar pozicionin e vet, duke mbajtur marrëdhënie normale me iranianët, armiqtë e betuar të monarkive të Gjirit, të gjitha monarkive sunite, të vetëdijshme se Irani shiit ëndërron vetëm që t’i vërë përfund dhe të zgjerojë ndikimin e vet në të gjithë Lindjen e Mesme.

Katari ka tradhëtuar Gjirin duke menduar për të ardhmen e tij, dhe për këtë sot monarkitë duan t’i vënë përballë këtë bllok. Nuk ka asgjë për t’u habitur. Ky është një plan logjik, por në Katar ndodhet një bazë amerikane, e domosdoshme për Uashingtonin në luftën kundër Shtetit Islamik, ndërsa Irani i ka ofruar Katarit, “çdo gjë që ka nevojë”. Beteja sapo ka filluar. / France Inter – bota.al


* Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim paraqesin mendimet dhe të drejtat e autorit, nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë së Manastiri Lajm.