Fejzi HAJDARI/

Kërçova është pikë strategjike shqiptare. Prandaj rinia intelektuale e këtij qyteti dhe rrethinës kanë përgjegjësi morale dhe historike jo për të përkrahur, por për të luftuar politikat që vrasin, arrestojnë e shantazhojnë shqiptarët e Maqedonisë.

Kërçova nuk guxon të mbetet kancer brenda shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Përderisa në të gjitha viset tjera shqiptarët votuan kundër politikës që na shkaktoi tragjedi të ndryshme, nga Sopoti deri te Monstra, votuesit kërçovarë, fatkeqësisht as kësaj radhe nuk dolën nga shablloni i përkrahjes së politikanëve lokalë.

Po të ishin treguar kumanovarët, shkupjanët e tetovarë lokalistë, siç po tregohen deri tani kërçovarët, politikanët e tyre të preferuar sot nuk do të ishin as në Maqedoni, e lëre më të garojnë në zgjedhje. Falë luftës, gjakut, dëshmorëve dhe martirëve të Kumanovës, Shkupit e Tetovës, (luftë që u mbështet nga gjithë shqiptarët e Maqedonisë), këta politikanë jo që nuk janë më azilantë, por edhe janë zhytyr thellë në luksin e pushtetit.

Është e drejtë e pamohueshme e çdo kujt që të votojë për këdo. Mirëpo nëse edhe në të ardhmen vazhdon trendi i votimit të kërçovarëve në numër aq të madh pro politikës që po dëmton shqiptarët, vetëm për shkak se ndonjë politikan është nga komuna e tyre, kjo do të duhet të analizohet mirë nga votuesit shqiptarë në komunat dhe qytetet tjera.
/Lajm/