Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry i ka dërguar një mesazh urimi Shqipërisë me rastin e 103-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Në mesazh thuhet se në emër të Presidentit Obama, popullit amerikan dhe Shtetit amerikan, i shpreh urimet më të mira Shqipërisë me rastin e 28 Nëntorit. Kerry në mesazhin e tij thekson gjithashtu se Shqipëria ka qenë është dhe do të vijojë të jetë një aleat i rëndësishëm i shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai vlerëson gjithashtu edhe rolin që vendi ynë ka luajtur vitet e fundit, duke ndikuar madje edhe në rritjen e sigurisë globale. “Shtetet e Bashkuara janë angazhuar për të mbështetur Shqipërinë që ajo të ndërmarrë reformat e nevojshme për të arritur aspiratat e saj euroatlantike. Përgëzoj përpjekjet tuaja për të aderuar në Bashkimin Evropian dhe të shohë përpara për progresin e vazhdueshëm në rrugën drejt integrimit të plotë euro-atlantik”, shkruan zyrtari i lartë amerikan në letrën e tij për nder të festës tonë të pavarësisë. Kerry kujton se që prej mbështetjes së Presidentit Woodrow Wilson për pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris në 1919, dy vendet tona kanë punuar së bashku në mënyrë produktive për të krijuar një miqësi të qëndrueshme të bazuara mbi vlera të përbashkëta dhe respekt reciprok. “Si një anëtar i NATO-s dhe mentor për vendet e Ballkanit që aspirojnë për anëtarësim, Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në botë. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë shumë kontributin e Shqipërisë për sigurinë globale, nga Afganistani, Iraku, dhe Ukraina, për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe Koalicionin Global kundër ISIS”, thuhet në mesazh. Në mesazhin dërguar në emër të Presidentit Obama dhe popullit amerikan, sekretari Kerry thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës çmojnë thellë ndihmesën e Shqipërisë për Koalicionin Global në Luftën Kundër ISISit, për Operacionin Mbështetja e Vendosur dhe për KFORin.
Kerry mesazh Shqipërisë për festën e 28-Nëntorit
