Murat Jashari, personi që plagosi avokatin Azem Vllasi, në dëshminë e tij në polici, ka thënë se ai kishte dashur ta vras Vllasin dhe se nuk vepron i vetëm, por me një grup që operon në tri shtete.

Ai ka deklaruar se vrasjen e Vllasit ka dashur ta bëjë pasi e cilëson ish-politikanin që aktivitetin e ka kryer sa ende ekzistonte Jugosllavia, si tradhtar të kombit.

Jashari pohoi se ka një listë të gjatë të njerëzve që grupi dëshiron t’i eliminojë.

Planet për vrasjen e disa nga zyrtarëve shtetërorë të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin, Isa Mustafa, sipas dëshmisë së sulmuesit janë bërë në Kosovë, por edhe në Maqedoni e Zvicër.

Deri tani nuk ka ende informacione se kush është struktura e organizuar të cilën e ka përmendur Jashari.

Nuk dihet as përse ishte pikërisht Azem Vllasi që u sulmua i pari, apo ishte çështje rastësie.

Ndërsa i dyshuari tjetër për sulmin e sotëm është, Avni Llumnica, vëllai i dëshmorit, Nexhmi Llumnica, i vrarë nga policët serbë në maj të vitit 1999 në Konushevc të Podujevës.

Por, për këto dhe të tjera informacione policia do të mund të hetojë pasi të dyshuarit i arrestoi menjëherë pas sulmit, në periferi të Prishtinës derisa kishin marrë rrugë për në Ferizaj.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, lidhur me rastin në fjalë janë arrestuar deri tani dy persona të dyshuar, ku njëri prej tyre M. J. (1956) dyshohet se është kryerësi i kësaj vepre, ndërsa personi i dyshuari i dytë është A. LL. viti (1964)”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Kruse Vllasi, që për momentin gjendet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është jashtë rrezikut për jetë.

Arben Grazhdani nga QKUK ka thënë se “plumbi ka hyrë në pjesën e përparshme të krahut. Ka shkaktu thyerje të klavikullës. Ka shkaktuar dhe dëmtime të indeve të buta e është ndal tek pjesa e qafës, por nuk kishte ndonjë problem të tërheqje së predhës”.