Në Kosovë ka qindra spiunë apo agjentë serbë, kështu ka thënë eksperti i sigurisë dhe ish pjesëtari i Inteligjencës, Fadil Kajtazi. Sipas tij shërbimi inteligjent serb është dhe janë agjentët rusë ata që kanë qasje në Kosovë në mënyrë indirekte.

“Bota sot” ka provuar të marrë një qëndrim të Kajtazit se çfarë duhet të bëjë Kosova përballë këtyre spiunëve dhe cili mund të jetë qëllimi i tyre, mirëpo ai nuk ka dashur të prononcohet.

Ndërsa, ekspertët e sigurisë thonë se këso agjendë ka në vende të ndryshme, por Kosova duhet të formojë mekanizma të sigurisë në mënyrë që t’i përcjell lëvizjet e tyre dhe t’i shmanget rreziqeve.

Kosova e rrezikuar nga destabilizmi?

Eksperti i çështjes së sigurisë, Naim Maloku, shprehet se edhe shtetet më të fuqishme kanë spiunë dhe agjentë të ndryshëm.

Maloku thotë se Kosova duhet ta dijë qartë se ka përfaqësues të vendeve apo shërbimeve të ndryshme  të cilët dëshirojnë  që të ketë një rrugë stabile ose ta destabilizojnë atë.

“ Edhe shtetet shumë të fuqishme kanë spiunë dhe agjentë të cilët vijnë nga shtetet tjera për të marrë informacione nga ai shtet ose shikojnë veprimet që shkojnë në rrugë të atij shtetit në mënyrë të destabilizimit të atij shtetit. Kosova si shtet duhet ta dijë qartë që ka përfaqësues të shumë shërbimeve qoftë të huaja apo edhe vendeve mike që janë të interesuara që Kosova të ketë një rrugë stabile, por edhe shteteve tjera që mundohen ta destabilizojnë Kosovën” pohon Maloku.

Ai thotë se Kosova duhet të formojë mekanizma të fuqishëm të inteligjencës dhe të sigurisë në mënyrë që t’iu përcjell këto lëvizje dhe t’i kundërvihet me metoda.

“Kosova duhet të formojë mekanizma të fuqishëm  të inteligjencës së vetë dhe të mekanizmave të tjerë të sigurisë në mënyrë që  t’i përcjell ato lëvizje dhe t’i kundërvihet me metoda që janë të njohur në botë. Ndërtimi i mekanizmave të sigurisë së fuqishëm të përballet me ata” thekson Maloku.

Maloku thotë se qëllimi i spiunëve apo agjentëve mund të jetë destabilizimi qoftë politikisht, qoftë ekonomikisht, mirëpo nuk duhet krijuar shqetësim tek njerëzit për këso çështjesh.

“Kosova nuk është përjashtim dhe nuk duhet të krijohet në opinion diçka për t’i shqetësuar njerëzit tjerë. Janë qindra agjentë edhe në Gjermani edhe në Amerikë, por Kosova duhet të krijojë mekanizmat që të përballen me rreziqet e ndryshme. Qëllimi i tyre është ta destabilizojë qoftë politikisht, qoftë dëme ekonomike, të hyjnë brenda qytetarëve të Kosovës” shprehet Maloku.

Ai thotë se Kosova rrezikohet gjithmonë nga Serbia përderisa ajo e ka ende në kushtetutë të saj.

“Serbia e ka ende Kosovën në kushtetutën e saj dhe përderisa e ka në kushtetutë atehërë është gjithmonë e rrezikuar nga ajo dhe përderisa ajo nuk e pranon shtetin e Kosovës dhe nuk bëhet fqinje e mirë atëherë Kosova rrezikohet”pohon Maloku.

AKI të rritë numrin e agjentëve

Ndërsa eksperti i sigurisë, Avni Islami thotë se hapi i parë që duhet të bëjë AKI është të rritet numri i agjentëve në mënyrë që të neutralizohen agjentët e huaj e sidomos serbë e rusë që janë kamufluar në forma të ndryshme.

“Kosova është duke i përball me sfida të sigurisë e sidomos në raport me Serbinë e cila thuhet se është aktive me të gjithë mekanizmin institucional të sigurisë, por të kamufluar në forma të ndryshme. Nëse në Kosovë janë rreth 700 agjentë operativ, pa i llogaritur informatorët e bashkëpunëtorët po del të jetë se AKI – i ka numër të vogël të agjenteve të saj, dhe nuk besoj se mund t’i mbulojë  këta që janë të instaluar në Kosovë, prandaj hapi i pare që do të duhet të  bëjë AKI është se duhet hapet konkursi  e të rritet numri i tyre që të  neutralizohen agjentë të huaj e sidomos serbë e rusë  të cilët janë  të kamifluar në forma të ndryshme” pohon Islami.

Gjendja alarmante

Kurse profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi thotë se është gjendje alarmante sepse në Kosovë ende nuk është bërë spastrimi nga forcat e ish regjimit.

“Në Kosovë  nuk është bërë fare spastrimi nga forcat e ish regjimit. Përkundrazi! Ato forca e kanë  vazhduar punën në llogari të shërbimit  serb dhe te shteteve tjera. Kjo gjendje është alarmante.  Sojin kemi të punësuar kudo në organet e shtetit. Këta e kanë dobësuar dhe po e dëmtojnë  shumë vendin. Natyrisht se këta po i shërbejnë pushtetit më së miri. Ata janë të  përgatitur  për punën shërbyese në drejtim të shkatërrimit të vendit” shprehet Kelmendi.

Kelmendi thotë se për shërimin e vendit duhet të bëhet një ligj dhe zbulimi i akteve.

“Që vendi të shërohet nga këta duhet të punohet në dy drejtime: 1. Në nxjerrjen e një ligji mbi figurat politike dhe të tjera që punësohen dhe 2. Në zbulimin e akteve nga del e kush ka shërbyer për pushtuesin serbomadh. Shoqëria duhet të pastrohet nga forcat spiune, sepse ato bartin rreziqe të mëdha për vendin. Kjo jo vetëm se i shërben  armikut, por edhe pse janë të  pandershëm  dhe shumë  të korruptuar. Vendi duhet të shërohet. Pa këtë nuk mund të ecim përpara” pohon Kelmendi.

Edhe agjentë rusë në Kosovë

Ndërkaq ish- luftëtari i UÇK-së dhe ish-pjesëtari i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë se Fadil Kajtazi ka shumë të drejtë dhe se në Kosovë ka shumë spiunë që janë sistematizuar.

“Fadil Kajtazi ka shumë të drejtë, por un mendoj se në Kosovë ka ma shumë spiun sesa disa qindra dhe rrjetet e spiunëve janë të sistematizuar në ekonomi, e kanë fjalën kryesore në Kosovë. Sigurimi serb ka qasje në polici, gjyqësi, inteligjencë, në FSK dhe sidomos në politikë. Disa politikanë të rëndësishëm edhe sot janë peng të dosjeve serbe që dikur këta politikanë ishin bashkëpunëtor të UDB-së” pohon Miftari.

Ai thotë se Kosova ka terren shumë të përshtatshëm për operacione sekrete të shërbimeve armiqësore.

“Mos mendoni se indiferenca kaq e ultë e politikanëve tanë karshi Serbisë është e rëndësishme dhe mos harroni që Kosova ka teren shumë të përshtatshëm për operacione sekrete të shërbimeve armiqësore, pasi që disa shërbime miqësore i ndjekim vetë si shembull loja me agjentët gjermanë që i bërë Hashim Thaçi që tentoi kinse t’i arreston për një vepër terroriste edhe pse ata nuk kishin të bëjnë me atë rast, por ishte në pyetje hakmarrja e Hashim Thaçit” thekson Miftari.

Miftari thotë se nuk është sekrete që agjentë rusë veprojnë në Kosovë, por është rrezik nëse shërbimet sekrete ruse arrijnë të gjejnë parti politike pro ruse-serbe.

“ Nuk është sekret që edhe FSB ruse operon në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni pas i ka sferat e interesit të përbashkët serbo-ruse. Rrezik permanent do të paraqitet nëse shërbimet sekrete ruse do të arrijnë të gjejnë parti shqiptare politike pro ruse-serbe dhe ta fuqizojnë atë parti” pohon Mifari.

Ai shton se Kosova duhet të bashkëpunojë me vendet tjera për luftimet kundër shërbimeve sekrete ruse.

“Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë me SHBA, Gjermanin dhe Britaninë e madhe sa i përket luftës kundër shërbimeve sekrete ruse pasi vet Kosova nuk ka kapacitet dhe njerëzit që kanë njohuri dhe vullnet.  Zakonisht njerëzit e inteligjencës të vendit tonë  janë lojtarë politik, por nuk janë njerëz që mbrojnë kombin por mbrojnë  vendin e punës e zakonisht e kanë kushtëzuar nga bosët e partive politike në pushtet që janë  sot ashtu do jetë edhe në të ardhmen besoj shumë”, përfundon Miftari.

Gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar me Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës, në lidhje me sigurinë në Kosovë dhe situatën e spiunazhit të huaj në vendin tonë, mirëpo, ende prej tyre nuk kemi marrë një përgjigje.