Kosova i ka dhënë fund dilemës së fituesit të Grupit 3 të Ligës D. Ata i kanë dhënë fund vitit 2018 pa asnjë humbje dhe sonte e deklasuan Azerbajxhani më rezultat të thellë 4-0. Në këtë fitore të Kosovës shkëlqyen të gjithë, por kryefjala e ndeshjes ishte Arbër Zeneli.

Kosova ka marrë një rezultat të madh 4-0 ndaj Azerbajxhanit duke siguruar kreun e grupit 3 të League D. Me këtë triumf historik, Kosova ngjitet në League C të Nations League. Vendasit bëjnë një start ëndrrash. Pas një aksioni brilant në të majtë nga Kololli, ai pason topin te Zeneli i cili me një goditje të mrekullueshme ka mposhtur portierin Agayev duke bërë që i gjithë stadiumi “Fadil Vokrri” të shpërthejë në brohoritma.

Një gol ëndrrash dhe një start ëndrrash për kosovarët që arrijnë të mbajnë ndeshjen nën kontroll. Vendasit luajnë të disiplinuar ndaj një Azerbajxhani në vështirësi të vazhdueshme për shkak të sulmuesve të shpejtë kosovarë. Sfida karakterizohet nga shumë faulle pasi të dyja skuadrat luajnë me agresivitet duke parë edhe rëndësinë kësaj ndeshjeje që luhet për kryesimin e grupit. Por miqtë duhet të bëjnë më shumë për të arritur të marrin një rezultat pozitiv, diçka që nuk ndodh edhe pas pushimit.

Në minutën e 50’ kosovarët dyfishojnë rezultatin dhe është përsëri Zeneli. Muriqi jep një top të bukur nga mesi i fushës, Zeneli pasitet në zonë e godet me shumë klas topin duke mposhtur për të dytën herë Agayev. Dhe në minutën e 61’ erdhi goli që vulosi fitoren e madhe të Kosovës. Një krosi të Kolollit nga goditja standarde, Rrahmani kërcen mbi të tjerët brenda zonës duke dërguar topin në rrjetë me një goditje të saktë me kokë. Në minutat e mbetura skuadra kosovare e menaxhon mirë ndeshjen dhe arriti të shënonte golin e katërt me Zenelin i cili kompletoi tripletën e tij në minutën e 76’ pasi mori një top nga e majta, ai kthehet me të djathtën dhe lëshon një tjetër goditje fantastike që përfundon në rrjetë.