Në pritje të reagimit zyrtar të kryeministrit Ramush Haradinaj, pas deklaratës së djeshme kërcënuese të drejtuar për të nga ana e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, mediat kosovare transmetojnë deklarata nga përfaqësues të qeverisë, analistë dhe publicistë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është treguar i ashpër ndaj kërcënimeve të presidentit të Turqisë.

Limaj mbrëmë nga Prizreni ka thënë se askush dhe asgjë nuk mund ta kërcënojë Qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës, veç popullit.

Limaj ka theksuar se pohuar se duhet ta ketë të qartë presidenti i Turqisë, miqësinë e ka treguar Kosova, por Kosova miqësinë nuk e shkëmben me vazalitet.

Askush dhe asgjë nuk mund ta kërcënojë Qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës, veç popullit, ai ia ka dhënë mandatin, ai e largon, ai e fuqizon. Asnjë shtet, asnjë lider, asnjë vend, sa do i fuqishëm që është, nuk mundet me drejtu e me na tregu se kush mundet me qeverisë më Republikën e Kosovës. Duhet ta ketë të qartë edhe presidenti i Turqisë, miqësinë e ka treguar Kosova, por miqësinë nuk e shkëmben Kosova me vazalitet, ne jemi shtet i pavarur. Kryeministri i Republikës së Kosovës ka zbatuar Kushtetutën e Kosovës, ka mbrojtur interesin e vendit. Qeveria  e Republikës së Kosovës ka me vazhduar me mbrojt interesin e vendit dhe kush do që tenton me prek interesin e Republikës së Kosovës do të merr përgjigje të njëjtë. Shteti i Kosovës është vend demokratik, sundon Kushtetuta dhe ligji. Përcaktimi i popullit të Kosovës, është përcaktim perëndimor, vizioni jonë është Evropa, vlerat qytet[ruese të Evropës, sepse kombi shqiptar i ka përkitur çdoherë dhe i përket vlerave të civilizimit perëndimor”, theksoi Limaj.

Ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku, i ka dalë në mbrojtje kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, pasi presidenti turk Erdogan, e kërcënoi shefin e Qeverisë kosovare. Madje i ftoi qytetarët e Kosovës të protestojnë kundër tij.

Çitaku, përmes një statusi në rrjetin social Fejsbuk,  shkruan se Parlamenti dhe qytetarët e Kosovës e zgjedhin kryeministrin.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas deklaratave të presidentit Erdogan, duke thënë se kryeministri i Kosovës nuk shantazhohet dhe as kërcënohet.

Ai ka thënë se kërcënimet e Erdoganit konfirmojnë se Haradinaj nuk ishte i përfshirë në dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova

“Dy çështje dua t’i them: 1. Ramush Haradinaj nuk mund të shantazhohet e as kërcënohet, këtë e dinë të gjithë por nuk dëshirojnë ta pranojnë.  2. Ky pozicion i Erdoganit është tregues që kryeministri as nuk e ka ditur dhe as nuk është pjesë e Filmit ‘Deportimi’”, ka shkruar Tahiri, i cili ka pozitë edhe në Qeverinë e Kosovës.

Analisti, Lulzim Peci ka reaguar menjëherë pas kërcënimeve që Erdogan ia bëri kryeministrit Ramush Haradinajt për shkarimin e Flamur Sefajt dhe Driton Gashit.

Ish-ambasadori Peci, ka shkruar në Fejsbuk se tani Kosova duhet ta tërheq nga Ankaraja ambasadorin e saj.

“Pas kësaj deklarate te Erdoganit ndaj kryeministrit te Kosovës, Qeveria duhet ta tërheq ne konsultime ambasadorin tonë në Ankara dhe se paku t’i dërgoj demarsh ambasadores turke ne Prishtine. Uji i Uatërgejt po nxehet”, ka shkruar Peci.

Këshilltari politik i Haradinajt, Halil Matoshi reagoi përmes profilit të tij në Fejsbuk duke e cituar Skënderbeun me mesazh të shkurtër “Në mbrojtje të Republikës”

Publicisti in njohur Veton Surroi në një postim në Fejsbuk ka thënë se Kosova duhet t’i përgjigjet këtij reagimi, por jo në këtë mënyrë. Ai ka renditur edhe 5 pika mbi të cilat MPB mund të reagojë.

“Vendimi për rrëmbim dhe dorëzim të gjashtë qytetarëve turq tashmë ka krijuar edhe incidentin e pritshëm në marrëdhëniet me Turqinë. Reagimi i presidentit Erdogan ishte emocional, ai i Kosovës nuk duhet të jetë i tillë. Megjithatë vendi ynë duhet të reagojë”, ka shkruar Surroi.

1. Kosova e konsideron Turqinë një aleate të rëndësishme, që nga ditët e ndërhyrjes së NATO-s për liri, ashtu edhe duke prirë në njohje pas pavarësisë.

2. Jemi të brengosur me deklarimin e presidentit Erdogan, aq më shumë kur dimë për ndjenjën miqësore që ka për konsolidimin e Kosovës. Fjalët e adresuara ndaj kryeministrit tonë nuk e reflektojnë sensin tradicional të miqësisë

3. Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve të saj për mospërfillje procedurash , ligjesh e normash të Kushtetutës së vendit, me rastin e dorëzimit të gjashtë qytetarëve turq autoriteteve të Turqisë. Qeveria është tejet e brengosur me shkeljen e mundshme të konventave evropiane, që , si shtet evropian, janë pjesë e rregullimit tonë juridik.

4. Kryeministri i Kosovës është zgjedhur në procedurë të rregullt demokratike. Mandati i tij rrjedh nga vota qytetare dhe ai i përgjigjet asaj. Ashtu si jemi deklaruar çdo herë, pra edhe me përpjekjen anti-kushtetuese të rrëzimit të pushtetit në Turqi më 2016,ekziston vetëm një formë e përfundimit të mandatit të Kryeministrit,ajo është me Kushtetutën e vendit.

5. Shpresojmë të vazhdojmë komunikimin pa këtë barrë të panevojshme emocionale, janë 5 pikat e Veton Surroit, në reagimin ndaj kërcënimit të mbrëmshëm të presidentit turk Erdogan./AlsatM