Kryeministri italian, Matteo Renzi, ka dhënë dorëheqje, pas humbjes së madhe që ka pësuar në referendumin për planin e tij për ta reformuar Kushtetutën, njofton BBC, përcjellë Klan Kosova.

Në një deklaratë në orët e vona, ai tha se po mban përgjegjësitë pas rezultatit të votimit. Renzi pohoi se tani Kampi “Jo”, duhet të dalë me propozime të qarta.

Në një “exit poll” (sondazhe që bëhen duke intervistuar votuesit posa dalin nga vendvotimi) të RAI-t thuhet se 42 deri 46 për qind kanë votuar pro reformës, ndërsa 54 deri 58 për qind kundër reformës.

Projeksionet e para bazuar në rezultate zyrtare flasin për një humbje edhe më të madhe.

Indikacionet e para janë se për “Po” kanë votuar 39-43 për qind, ndërsa “Jo”, 57-61 për qind.

Referendumi është parë edhe si barometër i votës kundër-establishmentit.

Partitë populiste kanë bërë fushatë për votë “Jo”.

Lideri opozitar, Matteo Salvini, nga Liga Veriore anti-emigrante, ka thënë se ky referendum është “një fitore e popullit kundër fuqive të mëdha”.

Menjëherë pas rezultateve të para euro ka rënë në kursin e këmbimit karshi dollarit.

Ka pasur edhe shqetësime në rritje për stabilitetin financiar të Italisë – ekonomisë së tretë më të madhe në eurozonë.

Të drejtë vote në këtë referendum kanë pasur rreth 50 milionë italianë