Kryeparlamentari Kadri Veseli, në një intervistë për gazetën prestigjioze austriake “Die Presse”, ka thënë se ajo që po ndodh sot në Veriun e Kosovës kujton operacionet në Gadishullin e Krimesë, para se ajo u aneksua nga Rusia.

Die Presse: Sonte në Bruksel negociojnë Kryeministrat dhe Presidentët e Kosovës dhe Serbisë,për të qetësuar situatën e pasigurt në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Tensionet janë aq të larta, saqë nuk mbahen mend që një kohë të gjatë. E gjithë kjo për shkak të një treni, i cili ishte planifikuar të udhëtonte nga Serbia për në Kosovë. Pse ka Prishtina problem me këtë tren?

Kadri Veseli: Për ne, nuk është treni si tren problem. Që nga 3 marsi i vitit 2008 ekziston linja hekurudhore nga Kraleva e Serbisë për në Mitrovicë, në veri të Kosovës. Ne jemi që njerëzit të lëvizin lirshëm. Por, ky tren kishte të bënte me diçka tjetër. Ai mbante mbishkrimin “Kosova është Serbi.” Ky është një provokim politik i Beogradit. Ne nuk kemi nevojë për gjëra të tilla.

Die Presse: Kryeministri serb, Aleksandar Vucic, ka thënë: “Ne kemi dërguar vetëm një tren dhe jo tanke.” A ka reaguar pala kosovare ashpër, kur ka vendosur të dërgojë Njësinë Speciale për të ndaluar trenin?

Kadri Veseli: Jo, përkundrazi. Institucionet tona nuk kanë reaguar ashpër. Ato kanë bërë vetëm atë për të cilën janë përgjegjëse. Udhëheqësit serbë me këtë veprim kanë dashur të demonstrojnë pushtetin e tyre në Kosovë. Këtë, ne nuk e kemi pranuar.

Die Presse: Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, ka kërcënuar se, nëse është e nevojshme, do të përdoret edhe ushtria serbe.

Kadri Veseli: Deklarata e Nikolic është një provokim. Ne do të përpiqemi me të gjitha mjetet për të shmangur një konflikt. Por, Kosova është shtet i pavarur dhe nuk do të tolerojë asnjë agresion të Serbisë. Serbia ka bërë shumë luftëra, me pasoja të tmerrshme. Shumë bashkatdhetarëve të mi, kjo u ka kushtuar me jetë. Ne shpresojmë se epoka e konflikteve në Ballkanka përfunduar.

Die Presse: Çfarë duhet bëhet për ta parandaluar konfliktin përsëri?

Kadri Veseli: Ne jemi në një proces të dialogut me Beogradin, i cili udhëhiqet nga BE-ja. Ngjarja me trenin ishte krejtësisht e panevojshme. Ne mund t’i zgjidhim të gjitha këto çështje së bashku në Bruksel. Ky dialog është i rëndësishëm dhe ne duam ta vazhdojmë atë.

Die Presse: Ish Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u arrestua në Paris dhe nuk guxon të lëshojë Francën – për shkak të një urdhër-arresti serb. Serbia akuzon ish Komandantin e UÇK-së për krimet e luftës.

Kadri Veseli: Ne duam të shmangim çdo mosmarrëveshje me Francën për këtë çështje. Urdhër-arrestet e Serbisë, 18 vjet pas luftës në Kosovë, janë të padrejta. Nga Gjykata e Krimeve të Luftës të OKB-së për ish-Jugosllavinë në Hagë, Haradinaj qe shpallur i pafajshëm.

Die Presse: A jeni i shqetësuar se edhe kundër juve ekziston një urdhër-arrest i Serbisë? Keni qenë kreu i shërbimit sekret të UÇK-së dhe nga pala serbe janë lëshuar akuza për krime të luftës.

Kadri Veseli: Është e turpshme që shteti serb, 18 vjet pas luftës, provokon  me urdhër-arreste të tilla. Beogradi duhet të përqendrohet më shumë në dialogun me ne dhe integrimin në BE.

Die Presse:Nga Gjykata Speciale, në Kosovë shumë shpejt mund të akuzohen ish-udhëheqës të UÇK-së. A ju shqetëson kjo?

Kadri Veseli: Vendimi për krijimin e Gjykatës Speciale ishte i vështirë për kosovarët, sepse ne kemi udhëhequr një luftë për liri kundër Serbisë. Edhe pse kemi menduar se është i padrejtë krijimi i Gjykatës Speciale, kemi votuar për të – për hir të vendit. Kështu, të gjitha akuzat kundër UÇK-së, si ato të Dick Marty, duhet të pastrohen. Ne presim nga liderët në Serbi që të na respektojnë dhe ta njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Die Presse: Amund të ndryshojë politika amerikane në Ballkan me zgjedhjen e Presidentit të ri Donald Trump? Me zgjedhjen e Trump, Rusia mund të ketë më shumë hapësirë.

Kadri Veseli: Prioriteti ynë është integrimi në BE. Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet tona me SHBA-të janë thelbësore. Jemi shumë të sigurt që edhe me zgjedhjen e Presidentit  të ri, Donald Trump, marrëdhëniet do të vazhdojnë të jenë shumë të mira. Rreth politikës ruse në Ballkan, jemi shumë të shqetësuar. Çfarë po ndodh në veri të Kosovës, na kujton operacionet në Gadishullin e Krimesë, para se ajo u aneksua nga Rusia. Shpresojmë se Serbia, si dhe Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, nuk kryejnë provokime në Evropë, në emër të Rusisë.

Më poshtë linku i intervistës në DiePresse: http://diepresse.com/home/ausland/aussenpolitik/5158855/Das-war-eine-Provokation-Serbiens?from=suche.intern.portal

 

auto-veseli1485254862