Në Komisionin Shtetëror Të Zgjedhjeve (KSHZ) sot deri në orën 14:00 partitë politike dhe koalicionet nuk kanë parashtruar ankesa për votimin, grumbullimin dhe konfirmimin e rezultateve nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës, informojnë nga Komisioni.

Parashtruesit e listave të kandidatëve kanë të drejtë që të parashtrojnë ankesa në KSHZ për procedurat e votimit, mbledhjen dhe konfirmimin e rezultateve në afat prej 48 orëve pas përfundimit të votimit, respektivisht 48 orë pas publikimit të rezultateve paraprake.

Ankesat për procedurën e votimit mund të parashtrohen më së voni deri sonte në orën 19, ndërsa afati për parashtrimin e ankesave për procedurën e grumbullimit dhe konfirmimit të rezultateve skadon të mërkurën, në orën tre të mëngjesit.

KSHZ është e detyruar që në një afat prej 48 orëve pas pranimit të çdo ankese të marrë vendim. Kundër vendimit të KSHZ-së, parashtruesi i ankesës mund të ngre procedurë në Gjykatën Administrative brenda 24 orëve.

Rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2016, KSHZ do t’i njoftojë menjëherë, ndërsa më së voni në afat prej 24 orësh pas përfundimit të tërë procedurës së ankesave.