Shkruan: Arben Taravari

Baba im i tregonte djalit tim të vogël foto nga albumet e vjetra të familjes. Fotot bardh e zi e disa kolor të zbehura, dukeshin sikur vinin nga një botë tjetër. Mirëpo përshkrimi i babës nisi t’i ngjallte një nga një personazhet e ngrirë në objektivin e kohës. Kështu pleq dhe plaka të heshtur, të cilët mezi i sheh rrugëve të Gostivar, aty ishin të rinj, jetëplot, shpresëplot!

Në njërën nga fotot dukej baba i shokut tim. Nuk njihej. Tani ai është krejtësisht i thinjur, del rrallë, dhe çdo herë duket edhe më i trishtuar…kurse në krah të tij dukej koka ime dhe e shokut tim, që kur ishim të vegjël e kishim inat atë foto se kishim qeshur dhe na dukeshin dhëmbët që na kishin rënë, ne ishim 6 vjeç të dy, dhe dukeshim të lumtur. Dhe po…duket gjithçka më e bukur…më e lumtur…më e pastër…më e drejtë… Në ato foto duken njerëzit e sotëm, duken ata të cilët nuk kanë më shkëlqim dhe dinjitet në sy, ata që mezi dalin nga shtëpia, duken tek shijojnë jetën me gjithë forcën e tyre…ata kishin shpresë se do bëhej më mirë, por iu iku nga duart kjo punë!

Baba im tregonte për disa që nuk jetojnë më, unë i dija, i dija që kishin vdekur më shumë nga hallet se sa nga sëmundjet, dhe më mblidhej një lëmsh në fyt tek i shihja ashtu të rinj, sikur më pyesnin që nga foto: si është Gostivari?! Sikur më pyesnin për nipër e mbesa, vajza e djem të cilët i kanë lënë në gojën e shkatërrimit, pleqtë e ikur të Gostivarit sikur më thonin se as të vdekur nuk po rahatohen nga ankthi i atyre që i lanë…

Djalit tim fjalët e gjyshit të tij i dukeshin si film fantastiko-shkencor, dhe mezi e besonte që aty në foto ishte qyteti i Gostivarit. Me naivitetin e fëmijës ai i thoshte babës tim me mosbesim: jo be?! Haj betohu!

Dhe betohej baba im që ai qytet i lumtur ishte Gostivari, dhe betohej që njerëzit e lumtur janë gjyshërit dhe gjyshet e shokëve të Arbit, e zëri burrëror i babës tim fillonte dridhej nga pak, nëna ime ndëgjonte me mallëngjim.

Arbi i pa të dy, dhe e mbylli albumin, dhe u betua që nuk do e hapte kurrë më se kishte bërë nanën dhe babën të mërziten…

Iu hodh në qafë babës tim dhe nuk e nxirrte kokën prej aty, sikur të ishte ai fajtori…Baba im nisi të qeshte, na i bëri të gjithëve me shenjë që mos lëshonim fjalë për të ç’tensionuar situatën, dhe e mbante djalin në prehër pa folur asnjë fjalë…

Secili lëvizi nëpër dhomë por secili e kishte mendjen tek baba që mbante Arbin në prehër…dhe vetëm kur koka e tij e vogël, doli jashtë nga shpatullat e gjyshit ku ishte fshehur, njësoj si një zog, tha: Babi! Kam një ide! Hajt i marrim gjyshin e Gencit, të Bernës, të Blendës…e zuri në gojë një tufë me emra duke vazhduar- i mbledhim prapë dhe iu bëjmë një foto të lumtur që kur ta shikosh ti dhe nana të kënaqeni pa u mërzitur…

Në ato çaste të gjithë shpërthyem në të qeshura, por fare pas pak heshtëm dhe mbetëm të heshtur, se në të vërtetë nuk ka kthim prapa!

Nuk ishte mall i zakonshëm për një kohë që nuk e kthen dot, ishte konstatim i dhimbshëm se qyteti është tërhequr në vetmi, që ankthi po e mbyt…Gostivari ka të drejtë të ketë të tashme më të lumtur se fotot e tij të dikurshme, Gostivari ka të drejtë të jetë qyteti i Paqes dhe i të Mirës, pasi më besoni: njerëzit e tij janë të qetë dhe të paqtë!

burimi: ina


* Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim paraqesin mendimet dhe të drejtat e autorit, nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë së Manastiri Lajm.