Raportuesi i PE-së për Republikën e Maqedonisë, Ivo Vajgël së bashku me eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn po qëndrojnë për vizitë njëditore në vend për të takuar përfaqësues të partive politike, prokuroren speciale Katica Janeva dhe ata të shoqërisë civile. Raportuesi Vajgël, dje para vizitës në Maqedoni, në një bisedë me korrespondentin e MIA-s nga Strasburgu, shprehi optimizëm se zgjedhjet e caktuara për më 11 dhjetor do të jenë demokratike dhe transparente, që është kusht që vendi të vazhdojë rrugës drejt integrimit evropian dhe atij euroatlantik.

“Nuk kam arsye të mos besoj, se zgjedhjet do të jenë sipas rregullave, se do të jenë demokratike, transparente. Do të ketë, kuptohet, interesa të ndryshëm. Nuk mundet brenda natës të kalohet përtej dallimeve të cilat ekzistojnë në shoqërinë e Maqedonisë ndërmjet partive politike. megjithatë, unë besoj se përgatitjet afatgjate krijuan kushte për zgjedhje normale demokratike dhe unë dëshiroj të jetë ashtu, sepse nga kjo varet rruga e mëtutjeshme e Maqedonisë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, thotë Vajgëll. Delegacioni treanëtarësh i PE-së pas takimeve do të mbajë konferencë të përbashkët për shtyp.