Ballkani prodhon më shumë histori sesa Europa mund të konsumojë. “Financial Times” i referohet një shprehjeje të Winston Churchill, në fillim të një materiali dedikuar Ballkanit, ku ndalet kryesisht te përpjekjet e Rusisë dhe Turqisë për të reduktuar ndikimin e BE-së në rajon.

Sipas medias prestigjioze, Ballkani është shndërruar në sfidën më të vështirë të kontinentit të vjetër, e kësisoj vendosja e këtij rajoni në axhendën e samitit të BE-së javën e kalur nuk ishte një surprizë. Njoftimi se dera e bllokut mbetet e hapur për vendet e Ballkanit nuk duket i besueshëm.

“Financial Times” citon një batutë popullore, sipas së cilës optimistët besojnë se Turqia do të bëhet anëtar i BE-së gjatë presidencës shqiptare, ndërsa pesimistët presin që Shqipëria t’i bashkohet bllokut gjatë presidencës turke.

Shumë shqiptarë, serbë, maqedonas e boshnjakë janë skeptikë, jo vetëm për të ardhmen e vendeve të tyre në Europë, por edhe për të ardhmen e vet BE-së.

Ballkani i shekullit të XXI-të po fillon t’i ngjasojë në mënyrë të rrezikshme atij të shekullit të XIX, me vetëm një ndryshim. Atëherë Rusia dhe Turqia ishin rivale të ashpra në betejën për ndikim rajonal, ndërsa sot janë të bashkuara në përpjekjen e tyre për të reduktuar ndikimin e Bashkimit Europian në Ballkan.

Sipas “Financial Times”, Moska dhe Ankaraja po politizojnë në mënyrë aktive tensionet etnike dhe fetare në Ballkan, e siç konstaton, prania politike, ekonomike dhe e shërbimeve sekrete të këtyre vendeve nuk kufizohet vetëm në vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëri, por shtrihet edhe në Bullgari e Greqi.

Opinioni publik, – sipas medias, – po ndryshon në mënyra që duhet të shqetësojnë Perëndimin. Për këtë përmend sondazhe të “Gallup International”, që sugjerojnë se në rast konflikti, shumica e turqve, bullgarëve, serbëve dhe grekëve do të kërkonin ndihmë te Rusia. Kjo, pavarësisht faktit se Turqia, Greqia dhe Bullgaria janë anëtare të NATO-s, ndërsa Serbia aspiron t’i bashkohet BE-së./ Top Channel