Gjatë javës së kaluar, Kryeministri shqiptar, z. Edi Rama priti në një takim së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, krerët e partive shqiptare në Maqedoni. Ky takim i një rëndësie shumë të veçantë për zhvillimet në Maqedoni dhe të drejtat e shqiptarëve, duket se nuk është pritur mirë nga disa portale “të pavarura opozitare” të cilat me shpejtësinë e erës publikuan se “disponojnë materiale” që vërtetojnë se përpjekja e Ramës për të “shfrytëzuar situatën në Maqedoni” ka dështuar, pasi krerët e shqiptarëve në Maqedoni e kanë shpërfillur përpjekjen e tij “për tu bërë lideri i rajonit”.

Ku qëndron e vërteta pas këtij trillimi surrealist dhe dashakeqësh i këtyre portaleve që për hir të “financimeve opozitare” i kundërvihen jo vetëm rrjedhjes logjike të ngjarjeve por edhe opinionit dërmues publik në Maqedoni?

Pikë se pari, partitë shqiptarë në Maqedoni janë në një pozitë historike jo thjesht për të vendosur se kush do të qeverisë Maqedoninë, por, edhe të kushtëzojnë vijimësinë normale politike të vendit fqinjë pas zgjedhjeve që ndau të gjitha palët në mes, pa nxjerrë asnjë fitues të pastër. Të bazuar në këtë fakt (dhe Kushtetutë) z. Rama thirri krerët shqiptarë. Sipas këtyre portaleve ama, “z. Menduh Thaçi nuk ka pranuar të vijë, z. Ahmeti ka refuzuar të firmosë rekomandimet e Ramës dhe vetëm kreu i partisë BESA, z. Bilall Kasami i është përgjigjur Ramës”.

Në fakt e gjithë kjo është një gënjeshtër për disa arsye. Së pari dokumenti i propozuar nga pala shqiptare nuk ishte një letër e hartuar nga Rama për të forcuar portretin e tij prej lideri të fuqishëm në rajon, pasi ai këtë gjë e ka bërë kohë më përpara duke filluar pikë së pari nga marrëdhëniet me Serbinë në lidhje gjithmonë me Kosovën dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Përkundrazi, ky dokument është produkt i shtetit Amë, Shqipërisë, e cila ka si detyrim kushtetues të mbrojë interesat e shqiptarëve, jo thjesht me fjalime nëpër festa –deri 2013- por pikërisht me iniciativa të tilla bashkuese dhe koordinuese!

Së dyti ku dokument nuk përbën zyrtarizimin e Ramës si lidër të shqiptarëve, por, sugjeron liderëve shqiptar që në të mirë të shqiptarëve të Maqedonisë të synojnë midis të tjerave: arritjen e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit; përfshirjen e parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e Maqedonisë, ku shqiptarët të njihen si popullsi shtet-formues; arritjen e barazisë së plotë gjuhësore; përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore; përdorimi i simboleve kombëtare shqiptare (flamuri dhe stema); arritjen e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal; krijimin të një mekanizmi të ri në formën e një Komisioni shtetëror për financimin e komunave, për një vendimmarrje më të drejtë dhe miratimin me shumicën e dyfishtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave; themelimin e një Ministrie për Komunitetet, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara; përfaqësim të drejtë në organet e sigurisë-policisë dhe në ato të drejtësisë; financimi i kulturës dhe aktiviteteve kulturore shqiptare, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror.

Së treti, pavarësisht pretendimeve dhe “dokumenteve të disponuara” nga këto portale që “nuk shohin qartë por vazhdojnë të informojnë nga terri i tyre optik”, në fakt ky dokument u nënshkrua nga të gjithë palët dhe në takimin e radhës do marr pjesë dhe PDSH fizikisht, pasi në këtë takim përfaqësohej nga BESA ndaj së cilës fill pas zgjedhjeve z. Menduh Thaçi deklaroi si i bashkon votat mbështetjen e tij!. Konkretisht, nënshkruesit në takim ishin Ali Ahmeti i BDI-së, Bilall Kasami i Lëvzijes BESA, Ziadin Sela i Aleancës për shqiptarët, si dhe Fadil Zendeli i RDK-së.

Madje, z. Ahmeti në një pritje me gazetarët në Maqedoni deklaroi për këtë iniciativë të z. Rama se: “ka vërejtje se pozicioni i partive shqiptare në Maqedoni po përpilohet në Tiranë, por as Shqipëria, as Kosova nuk janë ato që e përgatisin politikën e shqiptarëve në Maqedoni, ne kemi qëllime tona dhe programe, por ndihma e secilit është e mirëseardhur”. Kështu mbyllet dhe debati i stisur nga këto media opozitare të cilat në kundërshtim total me opinion publik të shqiptarëve në Maqedoni që i pritën me entuziazëm këtë takim, vazhdojnë të bëjnë “opozitë kundër politikës kombëtare”. SH.I.

 


* Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim paraqesin mendimet dhe të drejtat e autorit, nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë së Manastiri Lajm.