Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Drenasit, Bedri Nika, sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, nuk ka arritur të marrë më shumë se 5 për qind të votave të trupit elektoral që sot ka votuar në këtë komunë.

Me 97 për qind të votave të numëruara, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, del se kandidati i partisë së kryeministrit Isa Mustafa, ka marrë 1 mijë e 41 vota nga qytetarët e Drenasit.

Vet LDK është e pakënaqur me këtë rezultat.

Shefi i shtabit zgjedhor në Drenas, Rifat Bilalli ka thënë se partia ka pritur më shumë nga kandidati i tyre.

Zgjedhjet në Drenas janë mbajtur sot pasi kryetari i mëparshëm i kësaj komune, Xhevat Demaku është dënuar me tre vjet burgim për krime lufte.

Bazuar në rezultatet e deritashme, duket se qytetarët e Drenasit do të dalin sërish në zgjedhje, pasi asnjëri prej kandidatëve duket se nuk do të arrijë të fitojë shumicën e kërkuar.